Byrek me kunguj të njomë pa petë nga shefja e kuzhinës Albana Mançja

Çdo ditë, në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus, nën moderimin e Alma Çelajt, shefja e kuzhinës Albana Mancia sjell receta të shijshme, ide kreative dhe sugjerime për gatime që mund t’i përgatisni lehtësisht në shtëpi. Ndiqni recetat e saj dhe zbuloni çdo ditë shije të reja, hap pas hapi!
Byrek me kunguj të njomë pa petë – i shëndetshëm dhe plot shije nga shefja e kuzhinës Albana Mançja.
Përbërësit:
4 kunguj të njomë
2 lugë gjelle vaj ulliri
2 qepë
3-4 vezë
100 ml qumësht
½ tufë nenexhik
120 gr miell OLA
1 lugë kafeje pluhur pjekës
200 gr djathë kaçkavall
2 lugë gjelle miell misri OLA
Kripë, piper
Përgatitja:
Fillimisht pastrojmë kungujt, i grijmë në rende, shtojmë pak kripë dhe i vendosim në një kullesë që të lëshohen lëngjet. Ndërkohë kaurdisim qepët e grira imët me vaj ulliri në zjarr mesatar. Rrahim vezët me qumështin, më pas shtojmë kungujt e grirë, qepët, bimët aromatike, miellin, pluhurin pjekës, pak kripë dhe djathin e grirë kaçkavall. E shtrojmë masën në një tavë, e spërkasim sipërfaqen me pak miell misri dhe e vendosim në furrë të parangrohur në temperaturën 200°C për 40 minuta.




