60 mln euro në vit nga LIVE match-et/ Alarmi për mafian dhe pastrimin e parave, gjurmët çojnë në Shqipëri

60 mln euro në vit nga LIVE match-et/ Alarmi për mafian dhe pastrimin e parave, gjurmët çojnë në Shqipëri

10:35, 16/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

TikTok LIVE, një industri miliona eurosh dhe dyshimet për pastrim parash.

Miliona euro që kalojnë përmes dhuratave virtuale, karta të klonuara, donatorë me shuma të mëdha dhe agjenci që veprojnë në prapaskenë. Roberto Saviano dhe investigimi i medias italiane Fanpage ngrenë alarmin për mënyrën se si krimi i organizuar mund të shfrytëzojë TikTok LIVE për të lëvizur dhe pastruar para. Në këtë histori del edhe Shqipëria, me emra konkretë dhe pyetje që kërkojnë përgjigje nga autoritetet shqiptare.

A mund të pastrohen miliona euro përmes dhuratave virtuale në TikTok? A mund të shndërrohen paratë me origjinë kriminale në të ardhura që duken sikur janë fituar nga një aktivitet normal në rrjetet sociale? Dhe çfarë roli kanë donatorët shqiptarë në këtë mekanizëm?

Këto janë pyetjet shqetësuese që ngre investigimi italian The Lion, i realizuar nga redaksia e Fanpage në emisionin Confidential, ku është përfshirë edhe shkrimtari dhe gazetari investigativ Roberto Saviano. Në investigim flitet për mënyrën se si organizatat kriminale po përshtatin aktivitetin e tyre me teknologjinë dhe po shfrytëzojnë platformat sociale jo vetëm për komunikim, por edhe për biznes, mashtrime dhe pastrim të mundshëm të parave.

Prokurori i Napolit, Nicola Gratteri, në intervistën e dhënë për Confidential, paralajmëron se krimi i organizuar ka mësuar të përdorë rrjetet sociale për të bërë biznes, për të kryer vepra penale dhe për të pastruar kapitalet e paligjshme. Ndërsa presidentja e Komisionit Parlamentar Antimafia në Itali, Chiara Colosimo, e cilëson mekanizmin e LIVE match-eve si një rrezik që mund të lehtësojë pastrimin e parave dhe afrimin e të rinjve me krimin e organizuar.

Në materialet e publikuara nga Fanpage përmendet Aleks Visha, një TikToker shqiptar që, sipas investigimit, ka mbështetur financiarisht përmes dhuratave virtuale influencerin italian Francesco Ciotola. Pjesa e dytë e investigimit, e paralajmëruar për 16 nëntor 2026, vendos në titull shprehimisht mafian shqiptare, kartat e klonuara dhe agjencitë brenda LIVE match-eve nën komentin e Roberto Savianos..

Sistemi Tik Tok funksionon përmes monedhave virtuale që blihen me para reale. Përdoruesit i dërgojnë këto monedha si dhurata gjatë transmetimeve LIVE, ndërsa influencarët i konvertojnë dhuratat në të ardhura sipas mekanizmit të platformës.

Sipas përllogaritjeve të publikuara nga Fanpage një dhuratë Luan kushton 30 mijë monedha dhe mund t'i sjellë krijuesit rreth 350 euro, ndërsa një TikTok Universe prej 50 mijë monedhash mund të përkthehet në rreth 600 euro për përfituesin. Investigimi përshkruan një ndarje ku platforma mban rreth 50 për qind të vlerës, ndërsa pjesa tjetër kalon në portofolin digjital të krijuesit në formën e diamanteve, të cilat mund të tërhiqen sipas rregullave të platformës.

Por mekanizmi bëhet veçanërisht problematik kur dhuratat nuk janë thjesht mbështetje spontane nga ndjekësit. Fanpage përshkruan raste ku donatorë të njëjtë dërgojnë dhurata të mëdha dhe më pas, kur rolet ndryshojnë, krijuesit ia kthejnë dhuratat njëri-tjetrit. Në këtë mënyrë mund të krijohen lëvizje të mëdha financiare brenda pak minutash, ndërsa aktiviteti duket si një garë e zakonshme në internet.

Sipas llogaritjeve të redaksisë italiane, gjatë një viti janë regjistruar LIVE match-et dhe është përllogaritur një volum prej rreth 60 milionë eurosh në vit në Itali. Mbi 90 për qind e donacioneve  vinin nga rajoni Kampania me kryeqendër Napolin.

Investigimi thotë se për më shumë se një vit gazetarët kanë monitoruar influencerët,, kanë ndjekur aktivitetin e tyre dhe janë futur në sistem si kandidatë për krijues përmbajtjeje, për të kuptuar nga brenda mënyrën se si funksionojnë LIVE match-et. Pas donacioneve masive janë zbuluar biznese jo transparente, karta të klonuara, mashtrime ndërkombëtare dhe dyshime për pastrim parash.

Një tjetër problem është gjurmueshmëria. Pas përfundimit të LIVE match-eve, transmetimet nuk mbeten domosdoshmërisht të disponueshme në profilet e krijuesve, duke e bërë më të vështirë rindërtimin e dhuratave dhe shumave të shkëmbyera. Për autoritetet financiare, kjo e bën edhe më të rëndësishëm sigurimin e të dhënave të platformës, transaksioneve dhe llogarive ku përfundojnë pagesat.

Në këtë sistem, emri i Alex Vishës është një nga elementet që lidh drejtpërdrejt investigimin me Shqipërinë. Fanpage e përmend si donator të rëndësishëm të Francesco Ciotolës dhe e identifikon me nofkën mediatike “influenceri i drogës”, duke raportuar gjithashtu për arrestimin e tij në Britaninë e Madhe.

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm erdhi pas publikimit të pjesës së parë. të investigimit,  nga reagimet e disa TikTokerëve ndaj investigimit. Në një transmetim të Angelo Scognamiglios, i njohur si O' Messican, morën pjesë edhe krijues të tjerë, përfshirë Samy Dubai. Sipas Fanpage, ky i fundit kishte pesë profile të nivelit 50 dhe kishte qarkulluar rreth 5 milionë euro në TikTok. Në të njëjtin transmetim, një krijues i njohur si TonyAnonimus deklaroi: “Ne jemi mbi shtetin, jemi më të fuqishëm se shteti”.

Për Shqipërinë, duhet kujtuar se më 25 qershor 2025 nga Drejtoria e Hetimit Tatimor u raportua se kishin  nisur verifikime ndaj rreth 100 individëve dhe subjekteve që kishin përfituar të ardhura nga platforma digjitale. Nga verifikimet dyshohej për rreth 33 milionë euro të ardhura të padeklaruara, të lidhura me platforma si TikTok, Facebook, Instagram, YouTube, Google dhe PayPal.

Por a ka pasur mes tyre edhe influencer që janë përdorur nga krimi i organziuar per të pastruar para me anë të dhuratave të TikTok LIVE? A janë kontrolluar agjencitë që menaxhojnë TikTokerët? A janë krahasuar pagesat e marra nga platformat me të ardhurat e deklaruara në administratën tatimore?

Historia e The Lion tregon se pas një transmetimi LIVE mund të fshihet një aktivitet ekonomik shumë më i madh se sa duket në social. Saviano, Gratteri dhe Komisioni Antimafia kanë ngritur alarmin për rrezikun që platformat sociale po përdoren nga krimi i organizuar. Ndërkohë, emri i një donatori shqiptar dhe përmendja e mafias shqiptare në episodin e dytë e bëjnë të domosdoshëm verifikimin e çdo lidhjeje financiare që mund të çojë drejt Shqipërisë.

Kush i financon milionat e dhuratave në TikTok LIVE, kush i merr paratë dhe cilat biznese përfitojnë prej tyre? Nëse pas këtij mekanizmi fshihen para me origjinë kriminale, atëherë nuk kemi të bëjmë më me një lojë në internet, por me një çështje serioze të gjurmimit dhe parandalimit të pastrimit të parave.

Fanpage.it – THE LION, pjesa e dytë: Mafia shqiptare, karta të klonuara dhe agjencitë në TikTok LIVE.Njoftimi për episodin e dytë, intervistën me Francesco Ciotolën dhe përmendjen e Alex Vishës./ Alba Kepi/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco