Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dy persona gjatë një operacioni të koduar “Target”, mes të cilëve edhe një 23-vjeçar i shpallur në kërkim për një vrasje të ndodhur në shtator të vitit 2023.

Bëhet fjalë për Luçian Mëhillin, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e shtetasit V. F., ngjarje e regjistruar më 21 shtator 2023 në fshatin Hot i Ri, në Shkodër.

I riu ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në pranga ka përfunduar edhe Kristjan Çarkaj, 26 vjeç, banues në Shkodër, i cili ndodhej në të njëjtin automjet me Mëhillin në momentin e ndërhyrjes së policisë. Ai dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe për përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhen me narkotikët.

Operacioni u zhvillua në aksin rrugor Shkodër–Prekal, ku efektivët lokalizuan dhe ndaluan një automjet të tipit “Opel”, me të cilin udhëtonin dy të rinjtë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj 23-vjeçarit dhe në banesën e tij, policia zbuloi sasi të dyshuara lëndësh narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti dhe dy telefona celularë.

Aksioni u organizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimeve të Rënda dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Dy të arrestuarit do të përballen me procedurat e mëtejshme ligjore, ndërsa materialet e çështjes do t’i kalojnë Prokurorisë së Shkodrës për vijimin e hetimeve.