Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, gjatë fjalës së saj në Forumin e II-të të Zgjerimit të BE-së me temë “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”. Ajo vlerësoi se ky është “një moment i rëndësishëm” dhe theksoi nevojën për të shfrytëzuar mundësinë aktuale për të përshpejtuar përparimin drejt anëtarësimit.
Von der Leyen nënvizoi rolin që mund të luajnë talentet e reja të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian, duke thënë se ata do të sjellin vlera për të gjithë Bashkimin. Ajo shfaqi besimin se në vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhen hapa të mëdhenj dhe theksoi domosdoshmërinë që liderët dhe vendet të tregojnë ambicie dhe vendosmërinë e nevojshme për të përfituar nga ky moment historik.
Në fjalën e saj, presidentja e Komisionit Evrpian bëri lidhjen me procesin historik të zgjerimit të BE-së, duke rikthyer vëmendjen tek diskutimet për zgjerimin më të madh të Bashkimit që kanë ndodhur rreth 30 vjet më parë. Ajo kujtoi se në atë periudhë vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore nisën rrugëtimin për t’u rikthyer në atë që i përshkroi si “familjen e tyre evropiane”, një proces që solli ndryshime të mëdha për strukturën dhe përbërjen e Bashkimit Europian.
Von der Leyen u shpreh gjithashtu se duhet të shfaqet “e njëjta ambicie si liderët e 30 viteve më parë, që ta kthejmë në sukses”, duke bërë thirrje për përpjekje të përbashkëta dhe vendimmarrje të guximshme për të avancuar proceset e zgjerimit. Mesazhi i saj përqendrohej në nevojën për të kapur këtë mundësi historike dhe për të vazhduar me hapa konkretë drejt integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, në strukturat e Bashkimit Europian.
