Vendosni fjalën kyçe....

Koçeku pas interpretimit të këngës serbe në Bruksel: BE i detyrohet Kosovës kërkimfalje publike



Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar pas interpretimit të melodisë së këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë një koncerti të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Koçeku e ka cilësuar të papranueshëm interpretimin e kësaj kënge, e cila e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë, në një aktivitet që synon promovimin e bashkëpunimit dhe bashkimit të kulturave evropiane.

Në reagimin e saj, deputetja ka rikujtuar pasojat e luftës në Kosovë, duke përmendur shifrat e viktimave, personave të zhdukur dhe atyre që u detyruan të largoheshin nga vendi. Ajo ka kërkuar gjithashtu një kërkimfalje publike nga zyrtarët e Bashkimit Evropian përgjegjës për organizimin e forumit.

“1 milion refugjatë, 11 mijë të vramë, 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës dhe 1,600 persona ende të zhdukun. Këto janë jetë njerëzish, familje të shkatërrueme dhe plagë që nuk kanë me u harru kurrë”, shkruan Koçeku.

Ajo thekson se një mesazh i tillë shpërfill vuajtjet e popullit të Kosovës dhe bie ndesh, sipas saj, me parimet dhe vlerat demokratike që Bashkimi Evropian mbron.

“Zyrtarët e Bashkimit Europian përgjegjës për organizimin e Forumit i detyrohen popullit të Kosovës një kërkimfalje publike. Europa duhet të qëndrojë në mbrojtje të së vërtetës, dinjitetit dhe përgjegjësisë historike”, përfundon reagimin e saj deputetja.