Një shpërthim i dyshuar me lëndë plasëse ka tronditur orët e para të mëngjesit të së hënës qytetin e Patosit.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 05:05, ku objektiv i saj ka qenë banesa e një 33-vjeçari, i cili ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, Mateos Pashaj ka njoftuar sallën operative pasi ka konstatuar dëmtimin e portës rrethuese të banesës së tij.
Dyshohet se dëmtimi është shkaktuar nga shpërthimi i një sasie lënde plasëse, ndërsa deri në këtë fazë nuk raportohen të dhëna të tjera për pasojat e ngjarjes.
Fakti që 33-vjeçari ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” është një prej elementeve që pritet të verifikohen gjatë hetimit, për të përcaktuar nëse ekziston ndonjë lidhje mes statusit të tij ligjor dhe shpërthimit.













