Në një deklaratë për media, pedagogia dhe anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, ka akuzuar Taulant Ballën se po përdoret nga Edi Rama për të sulmuar opozitën dhe për të fabrikuar akuza ndaj saj.
Pas seancës së parë gjyqësore ndaj Ballës dhe televizionit ABC News, për shpifje, Kuçana deklaroi se pretendimet se ajo mbante bombula gazi dhe Molotov në çantë janë të pavërteta dhe se do të vijojë përballjen ligjore deri në dhënien e llogarisë për këto akuza.
Ajo e cilësoi Ballën si një prej njerëzve që i kanë mbetur Ramës për të sulmuar opozitën, ndërsa paralajmëroi se edhe ai do të përballet me SPAK-un.
Më tej, ajo theksoi se nuk ka asnjë lidhje me krimin dhe korrupsionin, duke akuzuar mazhorancën për përdorimin e shpifjeve si instrument politik kundër opozitës.
“Unë nuk pajtohem as me krimin, as me korrupsionin”, deklaroi Kuçana, duke ftuar Ballën dhe përfaqësuesit e ABC News të përballen në gjykatë.
Seanca e radhës është caktuar më 27 nëntor, në orën 10:00.
Deklarata e plotë:
Përshëndetje të gjithëve! Sot jam këtu në cilësinë e viktimës akuzuese ndaj Taulant Ballës dhe televizionit ABC News, për shpifje.
Duhet të themi që Taulant Balla, në bashkëpunim me ABC News, kanë fabrikuar lajme të pavërteta në emrin tim, duke thënë që Iliria Kuçana mbante në çantën e saj bombula gazi dhe Molotov. S'i kam parë asnjëherë në jetën time as bombulat e gazit, as Molotovët. Nuk e di, domethënë, se ku gjendet ky fakt.
Më lejoni t'ju them, kjo është seanca e parë. Seanca tjetër do të jetë në datën 27, ditën e premte, në orën 10:00. Dhe i them Taulant Ballës që edhe e neveris, në të njëjtën kohë, por edhe e mëshiroj, sepse është personi i cili po përdoret nga Edi Rama. Taulant Balla është i vetmi person që i ka mbetur Edi Ramës. Dhe i them Edi Ramës sot që edhe Taulanti do të vijë në SPAK, se tashmë e paska mësuar rrugën. Kishte disa çështje në SPAK. I them Taulantit: Sa deputetë merr pa Suelin, ndërkohë që merr 8-9 deputetë me Suelin? Po pa Suelin, sa deputetë merr? Taulant, pyet dhe Sara Milen sa pyetje i kanë bërë mbi emrin tuaj.
Më lejoni t'ju them që, mes rolit të Erion Veliajt dhe rolit të Taulant Ballës, Taulant Balla ka zgjedhur të bëjë rolin e zagarit të Edi Ramës, ka zgjedhur të bëjë lehësin e Edi Ramës, duke shpifur mbi opozitën. Çdo akuzë e fabrikuar, çdo shpifje për opozitën është nga Taulant Balla dhe këtë e bën në mbrojtje të tutolit të tij politik, Edi Ramës. I them edhe Edi Ramës, edhe Taulant Ballës: Ky është vendi juaj, këtu duhet të jepni llogari të dy, për korrupsionin, për krimin.
Taulant, unë jam pedagoge, shpërndaj dije, ndryshe nga ju që merreni me banda kriminale, me korrupsionin, me call center-at e motrës suaj. Taulant, duhet të përgjigjeni për çdo akuzë që është bërë në emrin tuaj. Ndërkohë, Taulant, unë nuk jam e akuzuar as për bashkëpunim me krimin, as për korrupsionin. Çdo gjë në jetën time e kam me meritokraci. Çdo votë e kam votë të besuar ndaj Iliriana Kuçanës dhe jo ndaj krimit të organizuar. Prandaj, Taulant, bëhu burrë, hajde përballu këtu! Kishte dërguar avokatë, ndërkohë edhe shoqëria ABC News kishte dërguar avokatë. Për kaq kohë sa marrin guximin të fabrikojnë lajme të pavërteta në emrin tim, duhet të vijnë këtu dhe të përballen me çdo akuzë.
Më lejoni t'ju them që, në ditët në vazhdim, jo vetëm që nuk ka seancë pajtimore, por unë nuk pajtohem as me krimin, as me korrupsionin. E ftoj Taulant Ballën të vijë këtu dhe të përgjigjet këtu. Çdo njeri i korrupsionit dhe krimit duhet të vijë këtu.
© SYRI.net