Në një intervistë televizive të kurdisur, gazetari italian Antonio Caiazza tha se në dhjetor 1980, ambasadori italian në Tiranë njoftoi Ministrin e Punëve të Jashtme në Romë lidhur me shqetësimin e tij për rrezikun e xhirimit të një filmi sipas romanit të Ismail Kadaresë "Gjenerali i ushtrisë së vdekur".

Nëse ambasadori do njoftonte shefin në Romë me një haber që Farnesina s'kishte mënyrë tjetër nga ta mësonte, si, ta zemë, lidhur me alarmin për dy soc-kineastë shqiptarë të nisur për të bërë një soc-film për Danten apo Ungarettin, për të përdhosur sa të mundnin me shtazërinë e tyre kulturore-artistike Italinë, kjo po, do të kishte kuptim.

Ama të lajmërojë ambasadori italian në Tiranë shefin e tij në Romë për rrezikun e nisjes nga Roma, makar Italia, të dy divave të kinemasë italiane dhe franceze për të xhiruar në Shqipëri një film bazuar në një kryevepër letrare botërore, kjo është një kujë e ulërimë, që nis këtu, i bie globit qark, s'gjen rrugës asgjë të ngjashme me veten, dhe vjen përsëri këtu, një super hajvanllëk që ia kalon edhe Radio Kukësit që pyet Radio Tiranën për pataten e Shishtvecit.

Për më tepër, në atë njoftim, ambasadori Tozzoli i kërkonte qeverisë italiane hiç më pak se një idiotllëk: Të vlerësonte rrezikun e përdhosjes së nderit kombëtar italian duke nxjerrë në pah përmes atij filmi krimin fashist.

Do të bënte sens ky letërkëmbim surreal si ndonjë nga episodet e filmit "Il fascino discreto della borghesia" të Luis Buñuelit, dhe fort do ta kishim shijuar, e me të drejtë do ishim kënaqur, e me gjithë shpirt do kishim qeshur. Por shkruesi i letrës nuk është aspak Buñuel, dhe Shqipëria nuk është aspak Miranda, shteti imagjinar i filmit në fjalë, por komshiu ynë matanë gardhit.

Për Italinë, nderi kombëtar nuk është "skelet në dollap". Atë nder, Italia nuk ka pritur t'ia përdhosë asnjë film mediokër nga asnjë roman gjenial. E "përdhos" vetë gjithë kohës me libra, revista, filma, artikuj, biseda, intervista të pafundme.

Po të kihet parasysh se në Shqipërinë hermetike të asokohe ndalohej të hynte miza, e jo më dy yje kinemaje, njoftimi i ambasadorit, që në thelb sugjeron refuzimin e filmit dhe mundësisht pengimin e udhëtimit të dy divave, si dhe thurja stilistike e kësaj kërkese, të bindin se letra në fjalë nuk është shkruar nga kurrkush tjetër veçse nga i kudondodhuri dhe i lavdishmi Sigurimi, që, siç dihet, veç tjerash, për atë ekzistonte, të shiste e blinte ambasadorë e gazetarë.

Ambasadori i zellshëm për ta mbrojtur nderin e humbur të fashizmit me fjalor Sigurimi, dhe autori i librit omonim me filmin e Hitchcockut "Intrigo internazionale", me çehre dhe narrativë maoiste, me gjasa dëgjues i rregullt i Radio Tiranës, janë ata dhe kurrkush tjetër, të vetmit elementë në këtë thurje konspirative trashanike që përbëjnë një intrigë ndërkombëtare, sado budallaqe, sado të paefektshme, sado qesharake.

E pashë "Il generale dell'Armata Morta" andej nga mesi i viteve '80, në orët e vogla të njërës nga të panumurtat netë të bardha, te Rai 2, në rubrikën Cinema di Notte, zgjedhur nga Claudio G. Fava, dhe u tmerrova.

Tepër larg të qenit variant filmik i një kryevepre letrare. Film i ngordhur. Gaforre e lodhur. Zvarranik me gjak të ftohtë. Nga ata filma që pillte mitra kanceroze "Kinostudio Shqipëria e Re", nga ata që i pëlqente deri në marrosje populli 600-milionësh kinez.

Pa vënë në dyshim talentet respektive, Piccoli producent me kontribut financiar, bëri hesap të bënte një film me pak shpenzim e shumë sukses përmes romanit të jashtzakonshëm dhe emrit të autorit gjenial.

Mastroianni erdhi për tu çlodhur në një film të thellë nga rolet si dashnor i përsosur.

Regjizori-drejtor fotografie, pas dështimit me filmin e ngordhur, për herë të parë dhe të fundit regjisor.

Në tokën shqiptare, pa një kaba, pa një iso, pa një çifteli, me një përkthyes që duket si i zgjedhur enkas për të përdhosur shqipen muzikore, tamam film i lodhur, i ngordhur, i pakallur, që nuk sugjestionon, nuk rezonon, nuk mahnit, nuk ndez, nuk rrënqeth.

Italia artistike, Italia kinematografike, Italia neorealiste nuk bën çfarë u teket ambasadorëve, nuk u shkon pas mediokërve, nuk varet nga humoret e burokratëve. Bën çfarë kërkon ai që nuk mund të aprovonte një film të ngordhur për një ushtri të vdekur, Sovrani Tregu.

Për asnjë arsye konspirative, thjesht dhe vetëm se doli i ngordhur, më mirë që nuk qarkulloi nëpër kinemara.

Sa kohë romanet e Kadaresë janë njëri më i bukur se tjetri, në Itali "Kështjella" para "Gjeneralit" është një zgjedhje e mrekullueshme.

Diktatori shqiptar diplomat si De Goli, është një shpallje lufte logjikës më elementare, një moskuptim aq i thellë cfilitës dhe dëshpërues, sa para tij dorëzohet çdo optimist.

U nisën të ngjiznin një film të suksesshëm përmes një emri të lavdishëm, dhe u doli një fetus i vdekur.

Surrealist në gen, realist në gjak, i pakuptuari i madh Kadare veçse u bezdis, dhe aspak nuk u kënaq nga prania e hesapçinjve që erdhën të bënin një kryevepër të gjallë që u doli e ngordhur.

Në vendin e hajdutëve, budallenjve, spiunëve, rrenacakëve, vrasësve, grykësve, ku përdëllimi nuk ekziston, morali është më i largët se infiniti, umiliacioni më i vogël se pika, ku askush nuk dëgjon, askush nuk kupton, askush nuk beson, nuk është kurrë vonë të thuash dy fjalë nga koha e perënduar për Rai Due, Cinema di Notte, Claudio G. Fava.