John Harrison është personi më i moshuar që fiton këtë çmim prestigjioz letrar dhe shkrimtari i parë i letërsisë fantastiko-shkencore që e merr atë.
Nga Frederick Studemann - FT/
Fituesi i çmimit Booker për këtë vit ka treguar se kriza financiare e vitit 2008 u bë frymëzimi për romanin e tij, një satirë distopike ku shoqëria është shkatërruar dhe alienët janë kudo.
M. John Harrison tha se kriza e kishte zemëruar aq shumë, sa reagimi i tij i parë ishte të pyeste veten: "Si mund ta përfshij këtë zemërim në një vepër? Si mund ta shpreh dhe ta bëj të prekshëm për lexuesin?"
"Pastaj papritur mendova se nuk kisha shkruar kurrë për një pushtim nga alienët", tha ai, mëngjesin pas fitimit të çmimit prej 50 mijë paundësh për romanin "The End of Everything".
Në moshën 81-vjeçare, ai është personi më i moshuar që fiton çmimin Booker dhe shkrimtari i parë i letërsisë fantastiko-shkencore që e merr këtë vlerësim.
Në roman, natyra dhe origjina e alienëve mbeten të paqarta. Ndoshta ata kanë ardhur nga Qyteti (mutacione jupi?); ndoshta janë një formë e materies së errët; ose ndoshta vijnë nga interneti (inteligjenca artificiale?).
Ajo që nisi si një histori për Qytetin dhe "një britmë zemërimi kundër padrejtësisë ekonomike", gradualisht u shndërrua në një vepër më filozofike, që trajton "kolapsin epistemologjik", pra pamundësinë për të kuptuar se çfarë dimë dhe si e dimë atë.
"Ne nuk e dimë se cilit informacion mund t'i besojmë. Për rrjedhojë, nuk dimë as si të krijojmë një pamje të botës që të na ndihmojë të veprojmë", tha Harrison.
Ai shtoi se njerëzit po përjetojnë sot "një lloj kolapsi të aftësisë për të shpjeguar", pasi nuk arrijnë të kuptojnë mundësinë e katastrofave ekologjike apo teknologjike.
"Ke përshtypjen se njerëzve thjesht u mungojnë mekanizmat, aftësitë shkencore dhe kritike për ta kuptuar situatën në të cilën ndodhemi", tha ai.
Për një pjesë të madhe të kësaj situate, ai fajëson vetë njerëzimin: "Mendoj me bindje se jemi sjellë keq dhe duhet të na dërgojnë në shtrat si fëmijë që kemi bërë prapësira."
"The End of Everything" tregon historinë e Philip-it, një njeriu që endet nëpër bregdet dhe përpiqet të sigurojë jetesën duke mbledhur mbeturina të lëna nga alienët në det, si dhe të tezes së tij rreth të 70-ave, Marnie, një artiste që po humbet gjithnjë e më shumë kontaktin me realitetin.
Me ta bashkohet edhe një "artefakt" i ndërgjegjshëm, i cili gjatë zhvillimit të romanit rritet në përmasa, fiton aftësi njerëzore dhe bëhet gjithnjë e më miqësor.
Ngjarjet zhvillohen në një Britani që e ka "humbur" disi kontinentin e Europës. Është një botë njëkohësisht e çuditshme deri në absurd, ku një specie aliene e quajtur i Ghetti ka pushtuar vendin, dhe e njohur, ku në hotele vazhdojnë të shërbejnë çaj pasditeve. Megjithatë, askush, as personazhet dhe as lexuesit, nuk duket se e kupton vërtet se çfarë po ndodh.
Juria e çmimit Booker, e kryesuar nga historiania Damë Mary Beard, dhe vetë autori bien dakord se libri është sfidues për lexuesin. Megjithatë, kritikat ndaj tij kanë qenë përgjithësisht pozitive.
Romani vë në shënjestër shumë nga të metat e Britanisë moderne. Krahas kritikave ndaj kapitalizmit në fazën e tij të vonë, ai përmban sulme të ashpra ndaj botës së artit, industrisë së trashëgimisë kulturore, të cilën e akuzon për "nostalgji të keqpërdorur", si dhe ndaj një dukurie që e shqetëson veçanërisht autorin: shndërrimit të lagjeve përmes ardhjes së banorëve më të pasur, të njohur si gentrifikim.
"Mendova se tema e gentrifikimit ishte një pasqyrë e shkëlqyer e pushtimit nga alienët. Po sikur ata të ishin thjesht turistë... thjesht njerëz që vijnë dhe ndryshojnë karakterin e një zone?", thotë ai.
Vendin që zgjodhi për këtë pushtim ishte bregdeti i Kentit, një zonë ku gentrifikimi është bërë i zakonshëm, me gjithë shfaqjet e tij artistike, vintage dhe të vetëdijshme për modën. "Kthehesh në çdo cep dhe gjen një galeri në stil postmodern."
Krijimi i pasigurive dhe përshkrimi i katastrofave që argëtojnë lexuesin kanë qenë tipare karakteristike të karrierës së Harrisonit si redaktor reviste dhe shkrimtar, e cila shtrihet në gati 60 vjet.
Në fjalimin e pranimit të çmimit, Harrison tha se më në fund ndihej si "një shkrimtar i vërtetë... që nuk ka aspak besim te vetja".
Romani i tij i parë, "The Committed Men", që përshkruante një Angli të shkatërruar pas apokalipsit, u botua në vitin 1971.
Më shumë se gjysmë shekulli më vonë, Harrison reflekton mbi atë që e quan "shkrimi i pjekurisë". Sipas tij, aftësitë e tij janë "përmirësuar jashtëzakonisht shumë. Sot shkruaj më mirë se kur isha 26 vjeç dhe mund të bëj shumë më tepër gjëra".
Ngrohtësia dhe vlerësimi për fituesin 81-vjeçar ishin të dukshme në darkën e ndarjes së çmimeve të hënën në mbrëmje, në Old Billings gate, në zonën financiare të Londrës. Harrison thotë se lajmi për fitoren e futi në "një gjendje shoku". Nga të gjithë librat e tij, nuk mendonte se pikërisht ky "libër i vështirë" kishte potencialin për të fituar Booker-in. "Është pothuajse si një shaka."
Megjithëse karrierën e nisi në botën e letërsisë fantastiko-shkencore, Harrison mendon se ky përcaktim është tepër kufizues. Në vend të tij, preferon termat "letërsi që kapërcen zhanret" dhe "letërsi spekulative".
Interesi i tij për fatkeqësitë dhe katastrofat "lindi nga fryma e kohës kur isha 16 ose 17 vjeç, duke u rritur në fillim të viteve 1960 në Rugby, në rajonin qendror të Anglisë, kur të gjithë kishim frikë nga kërcënimi bërthamor".
Takimet e para me poemën "Toka e shkretë" të T. S. Eliotit dhe veprat e J. G. Ballardit, të cilat trajtonin botë të shkatërruara dhe të zbrazëta pas konflikteve, patën ndikim të madh në formimin e tij. "Mendoj se ekziston një lidhje shumë e fortë mes asaj që sot e njohim si histori katastrofash dhe idesë së Eliotit për tokat e shkretuara."
Megjithëse romani i Harrisonit u frymëzua nga reagimi i tij ndaj ngjarjeve reale, ai thotë se nuk po përpiqej t'i kërkonte apo t'i tregonte askujt diçka të caktuar. Në vend që të ndërtonte një argument apo të përcillte një mesazh, ai thjesht "donte të krijonte një atmosferë, një ndërthurje idesh dhe imazhesh, dhe t'u ofronte lexuesve një shportë me gjarpërinj, duke u thënë: 'A nuk është e çuditshme kjo?'" / FT – Syri.net
© SYRI.net
'I vetmi hajdut xhepash në Nju-Jork', filmi që sjell portretin melankolik të një qyteti në ndryshim
Aksidenti në Thumanë-Fushë Krujë/ Viktima, ‘Mjeshtri i Madh’ i Ansamblit Mirdita, Paulin Filopati
50 vite nga premiera e filmit legjendar ‘Rocky’- Rekord i ri Guinness, 570 fansa rikthejnë skenën ikonike të Balboa