Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka kërkuar hetim për incidentin me këngën nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila u interpretua gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Sipas deputetit demokrat, është e papranueshme që një këngë e vitit 1989, e cila shpreh pretendime territoriale ndaj Kosovës, të interpretohet në një aktivitet që synon pajtimin dhe afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian, madje ai vuri në dukje edhe faktin se Kosova nuk ishte e ftuar në këtë forum.
Këlliçi kërkoi nga Brukseli të analizojë se si ndodhi incidenti, të dënojë aktin dhe të identifikojë përgjegjësit.
“Skandali në Bruksel me këngën nacionaliste serbe duhet hetuar, nuk është gabim muzikantësh!!!
Skandali në Forumin për Zgjerimin të mbajtur në Bruksel nga Komisioni Europian, ku është transmetuar një këngë nacionaliste serbe që bën thirrje kundër Kosovës dhe shpreh pretendimet e tyre territoriale, është më shumë se sa një gabim i muzikantëve siç po përpiqet ta zvogëlojë komisionerja Kos.
Nëse një aktivitet bëhet në emër të pajtimit, atëherë provokimi i rëndë me atë këngë të vitit 1989 është i qëllimshëm, e pikërisht në një aktivitet ku Kosova nuk është as e ftuar.
Brukseli duhet të ndërmarrë hapa më të fortë për të analizuar se si kjo ndodhi dhe për ta dënuar aktin dhe kush fshihet pas tij.
Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar në Bruksel do të duhet të kishin reaguar dhe të kishin mbajtur qëndrim për këtë incident të rëndë.
Raportet speciale të Ramës me Vuçiç, sidomos tani që autokrati i Beogradit nuk është më në pushtet, nuk mund ta pengojnë delegacionin tonë në BE që ta dënojë aktin e të kërkojë sqarime”, shkruan deputeti i PD.













