Përjashtimi i Elisa Spiropalit nga strukturat drejtuese të Partisë Socialiste ka shkaktuar debate të forta në Komisionin Parlamentar për Kulturën, ku deputetja e PD-së, Ina Zhupa, është përplasur me përfaqësueset e mazhorancës.
Zhupa ka ironizuar situatën brenda PS-së, duke e krahasuar mënyrën se si po trajtohen kundërshtarët e brendshëm të Edi Ramës me praktikat e regjimit të kaluar.
Ajo u ka kujtuar socialistëve se ish-kryetarja e Kuvendit ishte anëtare e Asamblesë në bazë të funksionit të saj dhe se përjashtimi i saj ngre pikëpyetje edhe për respektimin e statutit të partisë.
“Erdhët të qeshur pas vakisë së të shtunës. Si pleniumet e Partisë së Punës. Udhëheqësi shpalli armiqtë e brendshëm. Pa atë ju jeni, siç e tha ai, se nuk na e zë goja. Pasi nuk respektoni ligjet e Kushtetutën e vendit, shkelet dhe statutin tuaj.
Përjashtuat ish-kryetaren e Kuvendit që është ex officio anëtare e Asamblesë. Po siç e ka thënë ai që ju frymëzon juve: ‘Pse ligjet tona do na pengojnë ne?’”, deklaroi Zhupa.
Deputetja demokrate paralajmëroi gjithashtu për protesta kundër qeverisë, duke iu drejtuar socialistëve me një mesazh të drejtpërdrejtë që të reflektojnë.
“Kudo që të shkoni do keni nga pas protestën popullore. Ju pret 28 nëntori, protesta ku populli do të vijë kundër pushtuesit në karrigen e pushtetit. Reflektoni para se t’u vijë radha për t’ju përjashtuar juve”,tha ajo.
Deklaratat e saj sollën reagimin e deputetes socialiste Brisida Çakërri, e cila i kërkoi opozitës të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të Partisë Socialiste dhe të fokusohet te rendi i ditës së komisionit.













