Një ngjarje tragjike ka tronditur Brazilin, ku një vajzë vetëm 3-vjeçare humbi jetën pasi u qëllua aksidentalisht me armë zjarri nga motra e saj 5-vjeçare. Arma ishte lënë e mbushur dhe pa mbikëqyrje nga babai i tyre mbi banakun e kuzhinës, pasi ai ishte ngritur gjatë natës për të kontrolluar nëse në banesë kishte hyrë ndonjë hajdut.
Ngjarja ndodhi të dielën, më 8 nëntor, në distriktin Guaratiba, në pjesën perëndimore të Rio de Janeiros. Viktima u identifikua si Olivia Melo Moreira. Pavarësisht se u transportua me urgjencë në spital dhe mjekët u përpoqën t’i shpëtonin jetën, vogëlushja nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Sipas raportimeve të mediave lokale, prindërit u zgjuan nga gjumi pasi dëgjuan një të shtënë me armë zjarri. Kur nxituan në dhomën tjetër, gjetën vajzën e tyre 3-vjeçare të shtrirë në dysheme, të plagosur rëndë.
Ata e dërguan menjëherë në një spital aty pranë, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin. Në spital mbërritën edhe efektivë të Policisë Ushtarake, pasi morën njoftimin se një fëmijë ishte paraqitur me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Sipas dëshmisë së babait para autoriteteve, gjithçka nisi në orët e para të 8 nëntorit, kur nëna e fëmijëve vuri re se një portë e pronës ishte e hapur.
I shqetësuar për mundësinë e një grabitjeje, babai mori armën dhe zbriti për të kontrolluar nëse kishte persona të huaj në banesë apo në ambientet përreth. Pasi konstatoi se nuk kishte njeri, u kthye në dhomën e gjumit, duke e lënë armën e mbushur në këllëf mbi banakun e kuzhinës.
Pak kohë më vonë, familja u zgjua nga zhurma e të shtënës fatale. Sipas raportimeve, pas ngjarjes, vajza 5-vjeçare iu afrua të atit dhe i përsëriti disa herë, mes frikës dhe tronditjes: “Më vjen keq, babi, më vjen keq, babi”.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te rreziku që paraqet mbajtja e armëve të zjarrit të mbushura dhe të pambrojtura në ambiente ku kanë akses fëmijët e vegjël.
