
Ish-deputeti socialist Petro Koçi ka reaguar lidhur me zhvillimet në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke vlerësuar emërimet e reja në drejtimin politik të Tiranës, por duke shprehur kritika të forta për propozimin e përjashtimit të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet drejtuese të partisë.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Koçi e ka cilësuar caktimin e Ervin Demos dhe Albana Koçiut në drejtimin e PS-së për kryeqytetin si lajmin më të mirë të Asamblesë. Sipas tij, së bashku me Erion Braçen, ata përfaqësojnë potencialin më të mirë njerëzor nga i cili mund të përzgjidhet kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës.
Megjithatë, kritikat më të ashpra të ish-deputetit janë përqendruar te mënyra e trajtimit të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës. Koçi e konsideron propozimin për përjashtimin e tyre si një vendim të tepruar dhe të dëmshëm për Partinë Socialiste, duke theksuar se çdo masë disiplinore duhet të mbështetet në Statutin e partisë dhe të miratohet përmes procedurave përkatëse.
Reagimi i plotë
Modestisht për Asamblenë:
1-Lajmi më i mirë e ndofta i vetmi si i tillë ishte caktimi i Ervin Demos dhe Albana Koçiut në drejtimin e PS për bashkinë e kryeqytetit. Do të doja që ky akt të kurorëzohej nëpërmjet një procesi zgjedhor, por në gjykimin tim ata, në përbërjen aktuale të lidershipit të PS përfaqësojnë zgjidhjen më të qëlluar në konsideratë të përvojës, zotësisë e mbi të gjitha të integritetit.
Të dy kolegët, bashkë me Erion Braçen përbëjnë ndofta kapitalin njerëzor më të arrirë nga i cili do të përzgjidhet kandidatura përfundimtare për Kryetar bashkie në garën e zgjedhjeve vendore që po troket.
2-Lajmi më i keq ishte propozimi e pastaj pretendimi se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca qenkëshin përjashtuar nga forumet e PSSH. Qasja disiplinore kërkon argumentim të plotë dhe të bazuar në Statutin e partisë. Parti e vërtetë është ajo në të cilën Statuti është më i fortë se Kryetari apo Sekretari i Përgjithshëm. Përndryshe koncepti institucional parti shkërmoqet. Është e vërtetë që Elisa ka dalë në mexhlis me disa qëndrime të konsideruara problematike nga një pjesë me peshë e opinionit socialist. Mund të kenë qenë ato qëndrime të motivuara nga iluzione apo emocione të shkaktuara nga tensionet shpesh panikndjellëse të protestave. Qëndrimet e saj mund të vijnë në një pjesë të tyre nga mënyra sesi ajo u përndoq nga qeveria. Arsyet më mirë se unë i di vetë ajo. Unë thjesht arsyetoj me supozime.
Por propozimi për përjashtim ishte i tepërt dhe dëmtues.
PS-së nuk i intereson një unitet i bazuar te frika, por një unitet i bazuar në besim dhe bindje politike të vërtetë.
Në fund të fundit Elisa nuk është Marjana Koçeku për përzgjedhjen e të cilës nuk mbajti askush përgjegjësi.
Rasti i Plarentit është edhe më pa kuptim. E kujtoj Plarentin në krye të Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi. Ishte gati heroik në përballimin e një procesi që vetëm parlamentar nuk mund të quhej dhe që bazohej në një platformë si ato të Pleniumeve të PP.
3-Përjashtimi nga forumet me rastin e të shtunës është një pretendim nul. Nëse propozimi nuk është votuar institucionalisht ai nuk validohet dot.
Statuti është shumë i qartë me kësi rastesh.
4-Në bazë të Statutit deputeti është ex officio anëtar i Asamblesë Kombëtare. Statuti nuk ka përcaktim ndryshe. Nëse Elisa është anëtare e Grupit Socialist ajo automatikisht është në Asamble. Nuk besoj se do çmendej partia e ta përjashtonte nga grupi.
5-Do të ishte lajm i shkëlqyer akti i pritshëm i përjashtimit të ndonjë të korruptuari. Standardi i largimit të paktën përkohësisht i personave ndaj të cilëve ka filluar proces penal duhet të jetë përherë i detyrueshëm për një parti që pretendon luftë ndaj korrupsionit. Kjo nuk do të thotë që hiqet dorë nga prezumimi i pafajësisë.
6-Partia Socialiste nuk ka nevojë që anëtarët e saj të ndahen në Facebook në grupe ku disa përbetohen për Kryetarin e mallkojnë plangprishësit e të tjerë që mallkojnë Kryetarin e lëvdojnë kritizerët.
Jemi pak muaj para zgjedhjeve. Kërkohet qartësi dhe bashkim parimor forcash. Kritikat konstruktive i bëjnë mirë shëndetit politik të PS.
7- Protestat në fillimet e veta të qershorit ishin më shumë se simpatike. Ato i dhanë ngjyrë europiane vëmendjes dhe reagimit të publikut ndaj zhvillimeve politike.
Por fenomenet e dhunës e plaçkitjes që ndodhën kohët e fundit e rrëzuan qytetarinë fillestare dhe e komprometuan përkrahjen popullore.
Pushteti ndërrohet me votë. Jo në tavolinë.
Ndërkohë protestës i mungon vizioni dhe lidershipi.
Vizioni dhe lidershipi berishian përbëjnë prapakthim dhe e fundosin qëllimin e supozuar progresist të protestës.
Përmbysja revolucionare e synuar bie ndesh me përshpejtimin e procesit të integrimit europian.
Protesta i ka arritur disa suksese, ulja e TVSH-së për ushqimet, heqja e taksës së qarkullimit nga karburanti, premtimi për rritje pagash për policinë etj.
Këto duhen shoqëruar me hapa të tjerë si p.sh. rritja e pagave për pedagogët, ndërtimi i ambienteve sportive për rininë e fëmijët në vend të kullave etj.
