Aktualitet

Von der Leyen: Shqipëria përparon drejt BE-së!

Ballkani Perëndimor po ndërmerr hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa Shqipëria po shënon përparim mbresëlënës në rrugën e saj evropiane. Kështu u shpreh presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë fjalës së saj në Forumin e Zgjerimit të BE-së.

Von der Leyen theksoi se për herë të parë pas shumë vitesh, Bashkimi Evropian ka përpara një perspektivë reale të zgjerimit, duke veçuar Malin e Zi, që sipas saj po i afrohet përfundimit të negociatave të anëtarësimit, si dhe Shqipërinë, e cila po shënon përparim të rëndësishëm.

Ekziston një vrull i ri për zgjerimin dhe se kjo mundësi duhet shfrytëzuar për të bashkuar popujt e Evropës dhe për të ndërtuar një Bashkim më të madh, ku më shumë qytetarë të jetojnë në liri, paqe dhe prosperitet. Gjatë fjalës së saj, Von der Leyen u ndal edhe te rëndësia strategjike e zgjerimit, duke nënvizuar se anëtarësimi i vendeve të reja nuk sjell përfitime vetëm për to, por e bën më të fortë dhe më të begatë të gjithë Bashkimin Evropian.

Sipas saj, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë për t’i ofruar Evropës, veçanërisht përmes potencialit të të rinjve dhe fuqisë së tyre në zhvillimin e Tregut të Përbashkët.

Zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm me atë që Evropa u ofron anëtarëve të rinj. Ka të bëjë edhe me atë që ata sjellin në Evropë.

Presidentja e Komisionit Evropian nënvizoi gjithashtu se Blloku duhet të përgatitet institucionalisht për anëtarësimin e vendeve të reja. Ndërkaq, përmendi nevojën për përmirësimin e procesit të vendimmarrjes, në mënyrë që një BE më e madhe të ruajë aftësinë për të vepruar me shpejtësi përballë sfidave globale.

Një tjetër element i rëndësishëm, sipas saj, është integrimi gradual i vendeve kandidate përmes hapjes së sektorëve të Tregut të Përbashkët, në këmbim të zbatimit të reformave dhe respektimit të rregullave evropiane.

Von der Leyen theksoi se përparimi në reforma duhet të sjellë përparim në integrim dhe mundësi të reja ekonomike, ndërsa paralajmëroi se angazhimet për sundimin e ligjit dhe parimet themelore duhet të respektohen edhe pas anëtarësimit.

Zyrtarja e lartë bëri thirrje më tej për të njëjtin guxim dhe vendosmëri që udhëhoqi zgjerimet e mëparshme të BE-së, duke e cilësuar momentin aktual si një mundësi historike për bashkimin e mëtejshëm të familjes evropiane.