E hënë, 16 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:15 Në vijim ora 13:15: Dielli i Dimrit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

OBSH paralajmëron: Rezistenca ndaj antibiotikëve mund të shkaktojë 39 milionë viktima në 25 vitet e ardhshme

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve dhe barnave të tjera, duke paralajmëruar se ky fenomen kërcënon të ardhmen e mjekësisë moderne.

Sipas OBSH-së, rezistenca antimikrobike mund t’i bëjë të rrezikshme për jetën edhe ndërhyrjet e zakonshme kirurgjikale dhe lindjet, pasi infeksionet mund të mos reagojnë më ndaj trajtimeve të disponueshme.

Eksperti i OBSH-së, Jean-Pierre Nyemazi, deklaroi se rezistenca antimikrobike është përhapur gjerësisht dhe përbën një kërcënim serioz për shëndetin publik. Rreziku është veçanërisht i madh për pacientët me kancer dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike, të cilët janë më të ekspozuar ndaj infeksioneve bakteriale, virale dhe kërpudhore.

39 milionë viktima të mundshme në 25 vitet e ardhshme

Sipas të dhënave të OBSH-së, më shumë se 1 milion njerëz vlerësohet se kanë humbur jetën në vitin 2021 si pasojë e drejtpërdrejtë e rezistencës antimikrobike. Ndërkohë, bakteret rezistente ndaj antibiotikëve lidhen drejtpërdrejt me mbi 1 milion vdekje dhe kontribuojnë në afro 5 milionë vdekje çdo vit.

Reklamë

Nëse tendenca aktuale vijon, modelet parashikojnë se rezistenca antimikrobike mund të shkaktojë deri në 39 milionë vdekje në mbarë botën gjatë 25 viteve të ardhshme.

Një tjetër shqetësim është rritja e numrit të baktereve rezistente ndaj barnave që përdoren gjerësisht, ndërkohë që zhvillimi i antibiotikëve të rinj mbetet i kufizuar.

OBSH kërkon masa urgjente për parandalimin

Në kuadër të javës ndërgjegjësuese për rezistencën antimikrobike, që zhvillohet nga 18 deri më 24 nëntor, OBSH u ka bërë thirrje vendeve të shtojnë përpjekjet për parandalimin dhe kontrollin e këtij fenomeni.

Eksperti i organizatës, Pravarsha Prakash, theksoi se parandalimi i infeksioneve është një nga mënyrat më efektive për të ulur nevojën për përdorimin e antibiotikëve.

Megjithatë, vetëm pak më shumë se një e treta e vendeve kanë zbatuar plotësisht dhe në nivel kombëtar udhëzimet e OBSH-së për parandalimin e infeksioneve.

Organizata paralajmëron se shumë shtete janë ende larg përmbushjes së objektivave të përcaktuara në vitin 2024, të cilat synojnë përmirësimin e parandalimit të infeksioneve, përdorimit të barnave në spitale, diagnostikimit dhe monitorimit të rezistencës antimikrobike deri në vitin 2030.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.