Pesë vende europiane, Gjermania, Austria, Greqia, Danimarka dhe Holanda, pritet të shpallin të hënën një plan për transferimin e emigrantëve, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, drejt Ruandës.
Lajmi është bërë i ditur nga dy burime të njohura me negociatat, për agjencinë Reuters.
Marrëveshja pritet të prezantohet në Vjenë dhe synon krijimin e të ashtuquajturave qendra kthimi jashtë Bashkimit Europian, ku do të dërgohen personat që kanë shteruar të gjitha rrugët ligjore për të qëndruar në territorin e BE-së.
Nisma vjen në kuadër të përpjekjeve të disa qeverive europiane për të përshpejtuar deportimet dhe për të frenuar emigracionin e parregullt.
Ajo mbështetet edhe në rregulloren e re të BE-së për kthimet, e cila u jep vendeve anëtare mundësinë të krijojnë qendra të tilla në shtete jashtë unionit.
Ndryshe nga plani i Britanisë së Madhe, i cili u braktis pasi u shpall i paligjshëm nga Gjykata e Lartë britanike në vitin 2023, skema europiane do të zbatohej vetëm për emigrantët që kanë përfunduar të gjitha procedurat ligjore dhe nuk kanë më të drejtë të qëndrojnë në BE.
Qeveritë pjesëmarrëse kanë deklaruar se iniciativa do të jetë në përputhje me ligjet europiane dhe ndërkombëtare.
Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime për rrezikun e shkeljes së të drejtave të emigrantëve, veçanërisht për faktin se ata do të transferohen në një shtet me të cilin nuk kanë asnjë lidhje.
Këshilli i Europës ka paralajmëruar më herët se qendrat e kthimit jashtë BE-së paraqesin rreziqe të konsiderueshme për të drejtat e njeriut.
Mbështetësit e kësaj politike argumentojnë se synimi kryesor nuk është domosdoshmërisht largimi masiv i emigrantëve, por krijimi i një efekti frenues.
Sipas tyre, mundësia që personat që hyjnë në mënyrë të parregullt në Europë të përfundojnë në një shtet të tretë mund t’i dekurajojë ata nga ndërmarrja e udhëtimit.
Nga ana tjetër, kritikët vënë në dyshim efektivitetin e kësaj strategjie, duke argumentuar se masat më të ashpra nuk e ndalin emigracionin, por thjesht ndryshojnë rrugët që ndjekin emigrantët dhe mënyrën se si veprojnë trafikantët.
Ruanda është pozicionuar si një vend i gatshëm të presë emigrantë të dëbuar nga shtetet perëndimore, pavarësisht kritikave të vazhdueshme për situatën e të drejtave të njeriut në vend.
Shtetet e Bashkuara kanë nisur gjithashtu transferimin e emigrantëve drejt Ruandës, në kuadër të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar.










