E hënë, 16 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:15 Në vijim ora 13:15: Dielli i Dimrit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

U kap me kokainë në makinë, 26 vjeçarja ndërron jetë pasi iu përkeqësua gjendja gjatë marrjes në pyetje në polici, detajet tronditëse

Një operacion antidrogë që nisi me ndalimin e një makine të tipit BMË X6 me mbi 100 gramë kokainë të dyshuar në kufirin Kosovë–Shqipëri, përfundoi me një ngjarje tragjike. Një e re, e shoqëruar në polici si e dyshuar, ndërroi jetë pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua papritur gjatë përgatitjeve për intervistim.

Mediat kosovare mësojnë se bëhet fjalë për Blerta Hysenin, 26 vjeçe, e cila ishte ndaluar së bashku me Adnan Podvoricën 48 vjeç, gjatë një operacioni të njësive të antidrogës në pikën kufitare të Vërmicës.

Gjithçka nisi të dielën, më 15 nëntor, kur hetuesit e antidrogës në Prishtinë siguruan informacione operative se Podvorica kishte udhëtuar drejt Kukësit, në Shqipëri, me dyshimin se do të furnizohej me kokainë.

Kjo informatë vuri në lëvizje hetuesit e Prishtinës dhe Prizrenit, të cilët organizuan një operacion në pikën kufitare të Vërmicës.

Reklamë

Rreth orës 18:00, policia ndaloi një BMË X6 të kuqe, menjëherë pasi kishte hyrë në territorin e Kosovës. Në timon ishte Podvorica, ndërsa në ulësen e pasagjerit ndodhej Hyseni.

Kontrolli i detajuar i veturës përfundoi me zbulimin e 105.7 gramëve substancë të dyshuar kokainë. Gjithashtu, u sekuestruan dy fishekë të kalibrit 9 mm, dy telefona iPhone dhe vetura.

Aksioni vazhdoi edhe në Bardhosh të Prishtinës, ku hetuesit kontrolluan shtëpinë dhe lokalin “Siena Bar” të Podvoricës. Në shtëpi nuk u gjet asgjë e dyshimtë, ndërsa në lokal u sekuestrua një pajisje për identifikimin e GPS-it dhe kamerave.

Pas konsultimit me Prokurorinë Themelore në Prizren, u dha urdhër që të dy personat të intervistoheshin si të dyshuar për veprën penale që lidhet me blerjen, posedimin, shitjen ose shpërndarjen e paautorizuar të narkotikëve dhe më pas të ndaloheshin për 48 orë.

Por ajo që ndodhi më pas e ktheu operacionin policor në një rast tragjik.

Mediat kosovare bëjnë të ditur se gjatë përgatitjeve për intervistimin e Blerta Hysenit, në praninë e avokatit të saj mbrojtës, të resë iu përkeqësua papritur gjendja shëndetësore. Ajo shfaqi simptoma të dyshuara të ngjashme me kriza epileptike.

Policia kërkoi menjëherë ndihmën e emergjencës, ndërsa ekipet mjekësore mbërritën në stacion dhe i ofruan ndihmën e parë. Më pas, Hyseni u transportua në Emergjencë për trajtim të mëtejshëm.

Rreth orës 01:30 pas mesnatës, Blerta Hyseni ndërroi jetë.

Vdekja e saj ka hapur një hetim të veçantë nga hetuesit rajonalë në Prizren, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet për t’u përcaktuar nga organet kompetente.

Ndërkohë, hetimet për substancën e dyshuar narkotike të sekuestruar në Vërmicë po vazhdojnë nga njësia e antidrogës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.