Lufta në Ukrainë vazhdon me sulme të reja ushtarake dhe përpjekje diplomatike që ende nuk kanë sjellë rezultate konkrete. Autoritetet ruse akuzuan Ukrainën për një sulm ndaj urës së Krimesë dhe njoftuan pezullimin e përkohshëm të qarkullimit atje.
Në Bashkimin Europian problemin e shohin te pala ruse. Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, tha se për nisjen e bisedimeve të paqes është i nevojshëm një armëpushim, në mënyrë që të mund të fillojnë realisht negociatat për çdo çështje tjetër. “Por aktualisht nuk po e shohim një gjë të tillë”, u shpreh ajo. Kallas theksoi se kërkesat ruse nuk i konsideron serioze, duke i përshkruar si absurde, dhe shtoi se nëse ato shërbejnë thjesht si pretekst për të vazhduar luftën dhe shkaktuar shkatërrim, duhet treguar vendosmëri dhe të këmbëngulej për një pushimzjarri.
Kallas deklaroi se Rusia po intensivizon armiqësitë dhe po godet infrastrukturën, përfshirë trenat, urat dhe objektet energjetike, me qëllim që t’u shkaktojë vuajtje civilëve dhe të detyrojë ukrainasit të dorëzohen përpara dimrit të ashpër. Ajo kërkoi ndalimin e vrasjeve të ukrainasve dhe të sulmeve ndaj infrastrukturës civile, duke theksuar se vetëm pas përfundimit të këtyre sulmeve palët mund të ulen në tryezën e bisedimeve për të negociuar një marrëveshje paqeje.
Paralelisht, Ukraina dhe Bashkimi Europian po përgatisin një paketë emergjente ndihme për përballimin e dimrit, ndërsa sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe përdorimi i dronëve vazhdojnë të rëndojnë situatën në të dyja vendet. Skenari i intensifikimit të sulmeve dhe goditjeve ndaj elementeve kyçe të infrastrukturës para periudhës së dimrit paraqitet si një nga faktorët që vështirësojnë hapjen e kanaleve reale të negociatave ndërmjet palëve.
