
Në qershor të vitit 2025, Uganda vuri në funksion Sistemin e Automatizuar të Gjobave të Shpejta (EPSAuto), i cili përdor kamera CCTV, teknologjinë e njohjes automatike të targave (ANPR) dhe një sistem inteligjent të monitorimit të transportit (ITMS) për të gjobitur drejtuesit e automjeteve. Por sistemi, i cili zyrtarisht synonte të vendoste rregull në rrugët kaotike të vendit, shkaktoi shpejt polemika.
Disa zhvillime gjatë dekadave të fundit e bënë të mundur funksionimin e EPSAuto-s. Në fillim të viteve 2000, Uganda thelloi lidhjet e saj ekonomike me Kinën, gjë që çoi në ndërtimin e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të vendit nga gjigantët kinezë të teknologjisë Huawei dhe ZTE. Kjo mundësoi një kalim të shpejtë drejt mbikëqyrjes digjitale, ndërsa qeveria vendosi mijëra kamera CCTV, sisteme ANPR, ITMS dhe programe për njohjen e fytyrës. Programi i Ugandës për krijimin e qyteteve të sigurta, i mbështetur nga Huawei dhe i nisur në vitin 2018, është zgjeruar që atëherë në të gjitha qytetet dhe bashkitë kryesore të vendit.
Arsyetimi zyrtar për përqafimin e gjerë të teknologjive të mbikëqyrjes digjitale nga Uganda ishte garantimi i sigurisë publike dhe lufta kundër terrorizmit. Megjithatë, shumëkush shprehu shqetësimin se qeveria mund ta ripërdorte këtë infrastrukturë për çfarëdo qëllimi që do ta konsideronte të nevojshëm. EPSAuto ishte dëshmi e kësaj mundësie dhe reagimi publik kundër sistemit ishte i menjëhershëm: drejtuesit e automjeteve u ankuan për gjoba të dyfishuara dhe të vendosura gabimisht, si dhe për shkelje të paqëllimshme të rregullave, për shkak të mungesës së tabelave që tregojnë kufijtë e shpejtësisë.
Njerëzit nisën të vinin në pikëpyetje nëse kamerat e instaluara për sigurinë kombëtare duhej të përdoreshin për të vendosur gjoba në trafik. Nëse qeveria ishte e gatshme t’i përdorte këto mjete për të mbledhur të ardhura, çfarë do ta pengonte që t’i përdorte ato edhe për censurë politike?
EPSAuto u pezullua brenda pak ditësh. Më shumë se një vit më vonë, më 6 tetor, Prokurori i Përgjithshëm i Ugandës, Sam Mayanja, deklaroi se kontrata e vitit 2021 me një kompani ruse për sistemin ITMS, që përfshinte targat digjitale dhe gjurmimin e automjeteve, ishte juridikisht e pavlefshme dhe e pazbatueshme. Kjo përvojë ngre një pyetje më të gjerë, me të cilën përballen vendet në Afrikë dhe më gjerë: çfarë ndodh kur teknologjitë e prezantuara për t’i bërë qytetet më të sigurta e bëjnë gjithashtu më të lehtë për qeverinë identifikimin dhe gjurmimin e qytetarëve të saj?
Më mirë i kujdesshëm sesa të pendohesh më vonë?
Një raport i fundit, të cilin e kam bashkëredaktuar, Smart City Surveillance in Africa: Mapping Chinese AI Surveillance Across 11 Countries, trajton pikërisht këtë çështje. Hulumtimi ynë identifikoi më shumë se 2 miliardë dollarë shpenzime për mbikëqyrjen e hapësirave publike në Algjeri, Egjipt, Kenia, Mauritius, Mozambik, Nigeri, Ruandë, Senegal, Ugandë, Zambi dhe Zimbabve, megjithëse shuma reale ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë. Një pjesë e madhe e këtij financimi vinte nga kompani kineze.
Politikëbërësit priren ta përdorin sigurinë publike si argument për justifikimin e sistemeve të mbikëqyrjes, të cilat vërtet mund të luajnë një rol legjitim në luftën kundër terrorizmit dhe krimit. Por çdo përdorim i tillë duhet të jetë në përputhje me ligjin, i domosdoshëm dhe proporcional. Për më tepër, qeveritë kanë detyrimin të dëshmojnë se këto sisteme japin rezultatet e premtuara.
Hulumtimi ynë nuk gjen prova bindëse se mbikëqyrja e qyteteve inteligjente ka reduktuar terrorizmin apo krimin e rëndë në Afrikë. Senegali dhe Zambia kanë investuar shuma të mëdha në këto sisteme, pavarësisht se përballen me relativisht pak kërcënime ndaj sigurisë. Në Mozambik, kjo teknologji, e cila është përqendruar, jo rastësisht, në bastionet e opozitës, nuk e ka përmirësuar reagimin e autoriteteve ndaj krimeve të rënda, siç janë rrëmbimet. Po kështu, në Nigeri, shpenzimet e mëdha për mbikëqyrjen kanë bërë pak për të frenuar pasigurinë.
Kjo ngre problemin e zgjerimit gradual të përdorimit të teknologjisë përtej qëllimit fillestar (function creep). Siç tregoi reagimi i fortë publik kundër EPSAuto-s në Ugandë, ekzistojnë shqetësime – shpesh të bazuara – se mjetet e mbikëqyrjes së qyteteve inteligjente po përdoren për të identifikuar dhe monitoruar aktivistët, figurat e opozitës, kritikët dhe protestuesit. Të njëjtin shqetësim dokumentuam edhe në Zimbabve.
Njohja e fytyrës përmes inteligjencës artificiale është veçanërisht shqetësuese. Sapo kamerat bëhen të afta të identifikojnë njerëzit, në vend që thjesht të regjistrojnë ngjarje, mbikëqyrja shndërrohet në diçka më shumë sesa një mjet për hetimin e krimeve pasi ato kanë ndodhur. Ajo mund t’u mundësojë autoriteteve të gjurmojnë se ku shkojnë njerëzit, me kë takohen dhe në cilat aktivitete publike marrin pjesë. Qytetarët bëhen plotësisht të ekspozuar ndaj shtetit, ndërsa operacionet e mbikëqyrjes së vetë shtetit mbeten të paqarta dhe jotransparente. Njerëzit mund të mos e dinë se çfarë të dhënash mblidhen, si përdoren ato, për sa kohë ruhen apo me kë ndahen.
Edhe vetë kërcënimi i mbikëqyrjes mund të krijojë një efekt frenues, pasi njerëzit shpesh ndryshojnë sjelljen e tyre kur ekziston mundësia se po vëzhgohen. Në shumë prej vendeve autoritare që studiuam, qytetarët raportuan se ushtronin vetëcensurë në shprehjen e pikëpamjeve politike. Aktivistët, gazetarët dhe përfaqësuesit e opozitës përshkruan se kishin ndryshuar itineraret e udhëtimit, mënyrat e komunikimit dhe praktikat e organizimit të tubimeve, si përgjigje ndaj teknologjive të mbikëqyrjes së qyteteve inteligjente, kapacitetet e plota të të cilave mbeten ende të panjohura. Kjo nuk ndodh vetëm në vende më autoritare, si Ruanda, Uganda dhe Zimbabve, por edhe në Kenia, Nigeri dhe Zambi, të cilat kanë institucione më demokratike.
Për rrjedhojë, mbikëqyrja në Afrikë është bërë pjesë e një grupi më të gjerë instrumentesh që mund të dobësojnë të drejtat individuale dhe pjesëmarrjen demokratike. Ky monitorim ndërhyrës përforcohet nga kufizimet ndaj shprehjes në internet, ndërprerjet e internetit dhe kontrolli mbi platformat digjitale. Të marra së bashku, këto masa ua vështirësojnë njerëzve të shprehen lirisht, të organizohen, të kenë qasje në informacion dhe të marrin pjesë në jetën publike.
Financimi kinez takohet me qeverisjen postkoloniale
Mbikëqyrja në Afrikë nuk është aspak një fenomen i ri. Qeveritë koloniale përdornin sisteme identifikimi për të kontrolluar lëvizjen e njerëzve dhe fuqinë punëtore. Për shembull, sistemi kipande në Kenia u kërkonte burrave afrikanë të mbanin me vete dokumente identifikimi që përmbanin të dhëna personale dhe informacione mbi punësimin e tyre, shpesh duke përfshirë edhe shenjat e gishtërinjve. Shumë qeveri pas pavarësisë ruajtën institucionet e centralizuara të sigurisë dhe vazhduan ta përdornin mbikëqyrjen kundër kundërshtarëve politikë.
Sistemet e sotme mund të shërbejnë për qëllime të ngjashme – duke ruajtur interesat e regjimit në pushtet – por ato funksionojnë në një shkallë krejt tjetër. Këto mjete digjitale të automatizuara mbulojnë territore shumë më të gjera sesa mund të mbulonin ndonjëherë rrjetet e informatorëve njerëzorë. Ç’është edhe më shqetësuese, qeveritë tani mund t’i ndërthurin pamjet e regjistruara nga sistemet e mbikëqyrjes me sistemet më të gjera digjitale që përdorin për mbledhjen dhe përpunimin e informacionit, duke filluar nga të dhënat e identitetit dhe të telekomunikacionit e deri te regjistrat e automjeteve. Mundësia për të monitoruar njerëzit mund të shtrihet shumë përtej asaj që duket se synon të bëjë secili sistem më vete. Një person nuk ka pse të jetë i dyshuar për kryerjen e një krimi që të përfshihet në fushën e vëzhgimit të këtij sistemi.
Roli i Kinës në këtë proces, megjithëse meriton vëmendje dhe shqyrtim të kujdesshëm, nuk përbën të gjithë historinë. Kompanitë kineze kanë furnizuar ose financuar shumicën e sistemeve të shqyrtuara në raportin tonë. Megjithatë, janë qeveritë afrikane ato që vendosin se çfarë të blejnë, si të konfigurohen dhe të vendosen në përdorim sistemet, kush mund të ketë akses në to dhe cilat masa mbrojtëse duhet të zbatohen. Pikërisht këto vendime përcaktojnë ndikimin që teknologjia e mbikëqyrjes ka mbi të drejtat e njerëzve.
Qeveritë afrikane shpesh blejnë sisteme mbikëqyrjeje pa i bërë të ditur publikut se sa kushtojnë, çfarë funksionesh kanë, kush i kontrollon dhe çfarë të dhënash mblidhen apo kush mund t’i përdorë ato. Ne konstatuam se dokumentet e prokurimit publik mund të ofrojnë ndonjëherë një pamje më të qartë të situatës. Për shembull, një projekt i paraqitur publikisht si një sistem kamerash CCTV mund të rezultojë se përfshin edhe njohjen e fytyrës, gjurmimin e automjeteve, analizën e pamjeve filmike ose një platformë të centralizuar të të dhënave. Kështu mund të nisë zgjerimi gradual i funksioneve të një sistemi përtej qëllimit fillestar (function creep): një sistem i blerë për një qëllim të caktuar krijon mundësinë për të monitoruar njerëzit në mënyra që nuk ishin parashikuar apo bërë kurrë publike.
Të nxjerrim gjithçka në dritë
Dokumentet e prokurimit publik, veçanërisht kontratat, janë thelbësore për të kuptuar se kush i kontrollon sistemet e mbikëqyrjes së qyteteve inteligjente, kush ka akses në të dhënat e tyre, cili është objekti i punimeve dhe çfarë ndodh pas vënies së tyre në funksion ose me përfundimin e kontratës. Nëse gazetarët, organet rregullatore, deputetët dhe juristët do të kishin mundësi t’i shqyrtonin këto dokumente, debati do të zhvendosej nga shqetësimet e përgjithshme për mbikëqyrjen drejt çështjeve konkrete që lidhen me shpenzimin e fondeve publike, ligjshmërinë dhe llogaridhënien.
Sistemi ITMS i Ugandës tregon se çfarë mund të shkojë keq. Dokumentet e shqyrtuara nga gazeta Daily Monitor tregojnë se Ministria e Financave e konsideroi të pamjaftueshëm studimin e fizibilitetit të projektit. Ndër të tjera, atij i mungonin një vlerësim i mirëfilltë i raportit kosto-përfitim, një analizë e rreziqeve, një model financiar dhe një plan i qartë për mbrojtjen e të dhënave. Edhe pse kontraktori rus, Joint Stock Company Global Security, kundërshton konstatimet e Prokurorit të Përgjithshëm, është e qartë se sistemi u vu në zbatim pa u trajtuar më parë çështjet themelore. Në Ugandë, qeveria duhet të publikojë kontratën e ITMS-së dhe t’i mundësojë parlamentit, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të vlerësojnë kostot, kapacitetet dhe masat mbrojtëse të sistemit përpara se të rifillojë zbatimi i automatizuar i ligjit.
Në të gjithë kontinentin, qeveritë duhet të garantojnë një transparencë shumë më të madhe në prokurimet për sistemet e mbikëqyrjes me rrezik të lartë. Kontratat, marrëveshjet e financimit, specifikimet teknike dhe përdorimet e synuara duhet të jenë të disponueshme për publikun, me përjashtim vetëm të rasteve të kufizuara dhe të përcaktuara qartë me ligj. Qeveritë duhet gjithashtu të përcaktojnë objektiva të qarta dhe të krijojnë të dhëna bazë, të cilat vlerësuesit e pavarur mund t’i përdorin për të përcaktuar nëse këto sisteme mbikëqyrjeje e përmirësojnë realisht sigurinë publike. Për më tepër, përpara se të vihen në përdorim sisteme me karakter tejet ndërhyrës në jetën private, duhet të kryhen vlerësime të pavarura të ndikimit mbi të drejtat e njeriut.
Sa më e fuqishme të jetë teknologjia, aq më të forta duhet të jenë masat mbrojtëse. Përdorimet që përfshijnë njohjen e fytyrës, gjurmimin e vazhdueshëm dhe integrimin e bazave të shumta të të dhënave (përfshirë sistemet që nuk lidhen me mbikëqyrjen dhe burime të tjera informacioni) duhet t’i nënshtrohen një mbikëqyrjeje më të rreptë. Kjo është në përputhje me Deklaratën e Parimeve mbi Lirinë e Shprehjes dhe Aksesin në Informacion në Afrikë, një standard i rëndësishëm rajonal, i publikuar në vitin 2019 nga Komisioni Afrikan për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve. Parimi 41 kërkon autorizim ligjor dhe masa mbrojtëse për mbikëqyrjen e komunikimeve, si dhe përcakton se qeveritë nuk duhet të kryejnë apo të lejojnë mbledhjen, ruajtjen, analizimin ose shpërndarjen pa dallim dhe pa objektiv të përcaktuar të komunikimeve të njerëzve.
Megjithatë, Parimi 41 nuk zbatohet për monitorimin masiv të njerëzve në hapësirat publike nëpërmjet kamerave, teknologjisë së njohjes së fytyrës dhe gjurmimit të automjeteve. Kjo mangësi ka rëndësi, ndërsa mbikëqyrja po shtrihet në rrugë, rrjetet e transportit dhe sheshet publike. Legjislacioni duhet të ecë në të njëjtin hap me zhvillimin teknologjik, çka nënkupton zbatimin e të njëjtit parim edhe për mjetet e mbikëqyrjes së qyteteve inteligjente.
Nga ana e tyre, organizatat e shoqërisë civile duhet të vazhdojnë të dokumentojnë abuzimet, t’i shpjegojnë publikut se çfarë mund të bëjnë këto sisteme të qyteteve inteligjente dhe të kërkojnë llogaridhënie. Ato mund të mbështesin individët dhe komunitetet që bëhen objekt i mbikëqyrjes, përmes trajnimeve për sigurinë digjitale dhe asistencës ligjore.
Përgjegjësia nuk përfundon në kufijtë e Afrikës. Kina dhe vendet e tjera që eksportojnë këto sisteme, përfshirë Izraelin, Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të vendosin masa më të forta mbrojtëse për të drejtat e njeriut në kontratat e shitjes dhe financimit të tyre. Donatorët duhet të mbështesin qasjet ndaj qeverisjes digjitale të bazuara në të drejtat e njeriut dhe të ndihmojnë në financimin e monitorimit të pavarur dhe veprimtarive advokuese.
Afrikanët nuk duhet të detyrohen të zgjedhin midis sigurisë publike dhe të drejtës për të jetuar jetën e tyre pa u monitoruar. Teknologjia e mbikëqyrjes së qyteteve inteligjente mund t’i ndihmojë qeveritë të hetojnë krimet, të rikuperojnë automjetet e vjedhura dhe të përmirësojnë shërbimet publike, pa u dhënë atyre kompetenca të pakufizuara për të gjurmuar njerëzit. Përpara se të vendoset kamera e radhës, politikëbërësit duhet të detyrohen t’u përgjigjen dy pyetjeve: Cilin problem synon të zgjidhë ajo dhe cilat masa mbrojtëse do të parandalojnë përdorimin e saj si mjet për kontroll politik?
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. When Smart Cities Turn Menacing






