Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka konfirmuar se aleanca nuk do të nxitojë për organizimin e samitit të radhës, duke lënë jashtë kalendarit vitin 2027, kur Shqipëria ishte parashikuar të priste liderët e 32 vendeve anëtare. Në një intervistë për Associated Press, Rutte tha se NATO është fleksibël për organizimin e takimeve të nivelit të lartë dhe se ato do të mbahen vetëm kur të ketë nevojë.

“Ne jemi fleksibël me samitet e NATO-s. Ne mbajmë samite kur kemi nevojë për to”, deklaroi Rutte, duke shtuar se takimi i ardhshëm do të zhvillohet “kur të jetë e nevojshme”.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se samiti nuk do të mbahet në Shqipëri në vitin 2027, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë që Tirana të jetë mikpritëse në vitin 2028.

“Ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti, sigurisht jo në vitin 2027. Në vitin 2028, nëse do të jetë një samit, do të jetë në Tiranë”, u shpreh Rama.

Rutte theksoi gjithashtu se organizimi i një samiti të NATO-s është një proces me kosto të larta financiare dhe masa të shumta sigurie. Ai përmendi se takime të tilla mbledhin 32 vendet anëtare, si dhe shtetet partnere, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re.

“Është një ngjarje e kushtueshme të organizosh një takim me 32 aleatë dhe më pas me vendet partnere dhe partnerët Indo-Paqësorë që kemi”, deklaroi kreu i NATO-s.

Shtyrja vjen në një kohë kur aleanca po redukton edhe takimet ministrore, ndërsa përballet me mosmarrëveshje për shpenzimet e mbrojtjes, Iranin dhe luftën në Ukrainë.

Megjithatë, Rutte nuk e konsideroi këtë zhvillim si problem për funksionimin e aleancës, duke nënvizuar se takimet e nivelit të lartë duhet të organizohen në momentet kur ato janë të nevojshme. Shqipëria, e cila ishte përzgjedhur për të pritur samitin në vitin 2027, mund ta marrë këtë rol në vitin 2028, nëse NATO vendos të organizojë një takim të tillë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb