SPAK mbyll hetimet për Ballukun, Klodian Braho komunikon dërgimin e çështjes për gjykim: Korrupsion në 9 raste dhe 5 miliardë lekë dëm ndaj shtetit

16/11/2026 13:18

SPAK ka përfunduar hetimet për ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe ka dorëzuar këtë të hënë në gjykatë kërkesën për gjykim.

Lajmi është bërë i ditur nga kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë një takimi me gazetarët, ku ishte i shoqëruar edhe nga dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

“Ju njoftoj për mbylljen e hetimeve për Belinda Ballukun dhe ju bëj me dije se sot çështja do të dërgohet në gjykatë. Vlerësojmë se kjo mënyrë komunikimi i shërben më mirë informimit të publikut”, deklaroi Braho.

Kreu i SPAK bëri të ditur se për hetimin e kësaj çështjeje janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë periudhës së hetimit.

“Lidhur me këtë çështje penale janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje. Përfitoj nga rasti t’i falënderoj të dy prokurorët. Fillimisht, ata do t’ju njohin me një përmbledhje të çështjes”, u shpreh Braho, përpara se t’ia kalonte fjalën prokurorit të çështjes.

Më pas, prokurori Dritan Prençi njoftoi se SPAK po dorëzon kërkesën për gjykim në ngarkim të ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, si dhe 25 personave të tjerë dhe dy shoqërive.

“Sot SPAK po dërgon kërkesën për gjykim në ngarkim të ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe 25 personave të tjerë dhe dy shoqërive”, bëri me dije Prençi.

Prokurori Prençi bëri të ditur se hetimet, së bashku me prokuroren Dorina Bejko, janë përqendruar në dhjetë procedura, mes të cilave ato për Tunelin e Llogarasë, lotet e Unazës së Madhe dhe procedurën e prokurimit për Albcontrol.

Duke u ndalur te procedura me fond limit rreth 18 miliardë lekë, Prençi deklaroi se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e ish-ministres, megjithëse kompetencat kishin kaluar te struktura të tjera, kishte vijuar të ndiqte dhe orientonte procedurat.

“Qëllimi ka qenë paracaktimi i kompanisë ‘Intecar SRL’”, deklaroi prokurori, duke iu referuar dyshimeve të ngritura nga hetimi.

Sipas Prençit, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Gentian Gjylit, Mirzeta Kashnica dhe Evis Berberi, kanë shpallur fituesit, ndërsa e pandehura Viola Haxhiademi, në cilësinë e personit përgjegjës, ka miratuar preventivin me çmime të fryra, në kundërshtim me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave dhe rregullat për analizat teknike.

“Nga provat e administruara ka rezultuar se fondi limit është përllogaritur gabim me rreth dy miliardë lekë”, u shpreh Prençi.

Në lidhje me procedurën për projektin kanë rezultuar veprime të kundërligjshme dhe rezulton se Viola Haxhiademi në BKH ka deklaruar në kundërshtim me preventivin e rishikuar.

“Në këtë kuptim, i është shkaktuar dëm shtetit në shumën rreth 5 miliardë lekë”, deklaroi prokurori Prençi.

Sipas të dhënave të bëra publike në takimin me gazetarët, akuzat ndaj Ballukut përfshijnë korrupsionin në nëntë raste, fshehjen e pasurisë në dy raste dhe pastrimin e parave. Ndërkohë, vlera e pasurive të sekuestruara në kuadër të hetimit arrin në 1.8 milionë euro.

Me dorëzimin e kërkesës për gjykim, çështja tashmë kalon në shqyrtimin e gjykatës, e cila do të vendosë për vijimin e procedurave gjyqësore.

Prokurori Dritan Prençi u ndal edhe te pasuritë që, sipas hetimeve, dyshohet se janë përfituar në mënyrë të parregullt nga Belinda Balluku. Ai deklaroi se ish-ministrja ka në pronësi familjare një vilë me sipërfaqe 428 metra katrorë, investim që, sipas SPAK, është fshehur fillimisht përmes Igli Tares dhe më pas nga Arbër Abazi.

“Ka rezultuar se Balluku ka në pronësi familjare një vilë me sipërfaqe 428 metra katrorë, investim i fshehur nga Tare dhe më pas nga Arbër Abazi”, deklaroi Prençi.

Prokurori shtoi se përfitimet e pretenduara nga Igli Tare, në vlerën 250 mijë euro, nuk janë pasqyruar në deklaratat e tij vjetore të pasurisë.

“Për vilën dhe pishinën rezulton se Balluku ka marrë, me ndihmën e Arbër Abazit, përfitime pas ndërtimit të lotit 7. Ky përfitim është marrë në formën e investimit. Për të fshehur këtë pasuri, Balluku ka përdorur Taren, duke kryer veprime fiktive në lidhje me përfitimin e dokumentacionit”, u shpreh Prençi.

Më pas, fjalën e mori prokurorja tjetër e çështjes, Dorina Bejko, e cila bëri një përmbledhje të procedurave të tjera nën hetim.

Ajo deklaroi se në një procedurë me fond rreth një miliard lekë, Belinda Balluku, në bashkëpunim me të pandehurit Evis Berberi dhe Miranda Shkurti, dyshohet se ka ndikuar për favorizimin e subjektit “G SHPK”, ndërsa edhe persona të tjerë kanë kryer shkelje gjatë kësaj procedure.

Sa i përket procedurës së prokurimit për Albcontrol, Bejko tha se, sipas hetimeve, Balluku, në cilësinë e drejtoreshës, ka paracaktuar fituesin në favor të shoqërisë “Eurocol”.

“Veprimet e të pandehurve konsistojnë në favorizim. Ky rezultat ka çuar në konkluzionin tjetër se Balluku ka përfituar një vilë tjetër, e ndodhur në Gjilekë. Përfitimi i parregullt është marrë nga Balluku sipas një kontrate të firmosur nga Igli Tare”, deklaroi Bejko.

Në përfundim të prezantimit, kreu i SPAK, Klodian Braho, u ndal te ecuria procedurale e hetimit dhe kërkesa e mëparshme për marrjen e autorizimit nga Kuvendi.

Braho sqaroi se SPAK kishte paraqitur një kërkesë vitin e kaluar dhe përfaqësuesit e institucionit kishin marrë pjesë në seancën e Këshillit të Mandateve, por Kuvendi kishte vendosur mospranimin e kërkesës.

“Kuvendi, në këtë vendim, ka bërë vlerësimin e provave ligjore dhe ky vendim ka qenë detyrues për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Prokuroria ka pasur detyrimin ta zbatojë, pavarësisht se ky vendim ishte në kundërshtim me qëndrimin tonë”, u shpreh Braho.

Ai shtoi se, pavarësisht këtij vendimi, hetimet kanë vijuar dhe gjatë kësaj periudhe SPAK ka arritur të dokumentojë edhe tri akuza të tjera, të cilat, sipas tij, nuk ekzistonin në momentin kur ishte paraqitur kërkesa fillestare.

“Pavarësisht kësaj, hetimet vazhduan dhe kemi arritur të provojmë tri akuza të tjera të reja. Këto veprime që ka kryer prokuroria pas këtij momenti, duke shtuar tri akuza që nuk ekzistonin në momentin kur u paraqit kërkesa, tregojnë vullnetin për hetimin e kësaj çështjeje. Sigurisht, në të gjitha çështjet, por për funksionarët e lartë, për të zbardhur të vërtetën, për të gjetur provat dhe për ta çuar çështjen në gjykatë. Këtë kemi bërë”, deklaroi kreu i SPAK, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

I pyetur nga gazetarët nëse SPAK ka një hetim tjetër në proces ndaj Belinda Ballukut, kreu i këtij institucioni, Klodian Braho, sqaroi se aktualisht nuk ka një hetim tjetër ndaj ish-zëvendëskryeministres, përtej çështjes që po dërgohet për gjykim.

“Ne nuk kemi hetim tjetër për zonjën Balluku. Hetimet që kemi po i dorëzojmë sot në gjykatë. Nëse do të ketë hetim tjetër, kjo do të vendoset nga prokurorët e çështjes. Aeroporti i Vlorës është çështje nën hetim dhe nuk mund të flas për të. Kur them çështje të tjera, nuk e kam fjalën për kallëzime të tjera, por për çështje në ngarkim, që të jemi të qartë”, deklaroi Braho.

Top Channel