Estonia përgatit planin për të përballuar një pushtim rus, qeveria do të drejtohet nga jashtë vendit
Qindra mijëra qytetarë protestuan në Pragë kundër planit të qeverisë së kryeministrit, Andrej Babis, për ndryshimin e mënyrës së financimit të medias publike.
Organizatorët thonë se në tubim morën pjesë 350 mijë deri në 450 mijë persona. Protestat u shkaktuan nga një projektligj që parashikon heqjen e tarifës së transmetimit dhe financimin e televizionit dhe radios publike drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, me një shkurtim të fondeve rreth 15 për qind. Kundërshtarët e nismës paralajmërojnë se ndryshimi mund të rrezikojë pavarësinë editoriale të transmetuesve publikë dhe të sjellë shkurtime të programeve dhe vendeve të punës. Kundër projektligjit janë rreshtuar opozita, organizatat e shoqërisë civile dhe punonjësit e medias, të cilët në fillim të nëntorit zhvilluan edhe një grevë.
“Ne duhet ta ruajmë pavarësinë e medias. Qeveria po ndërmerr hapa për ta vënë atë nën kontroll, për t’i shkurtuar financimin dhe për të ndikuar në përmbajtjen që transmeton. Ne këtë gjë, nuk e duam. Ajo që duam janë media të pavarura, të cilat të shërbejnë si kundërpeshë ndaj çdo qeverie që do të kemi në të ardhmen”, tha Jan Snasel, protestues
“Kam ardhur për të mbështetur median e lirë, Televizionin Çek dhe Radion Çeke, por edhe kulturën dhe mbrojtjen e mjedisit. Ka shumë çështje që na shqetësojnë. Këtu bëhet fjalë jo vetëm për median, por për situatën më të gjerë në shoqëri. Do të doja që kjo protestë të kishte ndikim. Shpresoj që ky grumbullim qytetar, përmes energjisë së tij, të arrijë të sjellë ndryshim”, u shpreh Lucie Fajfrova, protestuese.
Qeveria çeke nga ana e saj argumenton se reforma do ta bëjë sistemin më efikas dhe do të shmangë një tarifë që e konsideron të padrejtë. Pavarësisht protestave, koalicioni qeverisës ka shumicën parlamentare për të vijuar me miratimin e projektligjit. Megjithatë, mobilizimi masiv po shton presionin politik ndaj ekzekutivit, ndërsa organizatorët kërkojnë tërheqjen e nismës dhe garantimin e pavarësisë së medias publike.
Top Channel