
Rei Manaj është gjithnjë e më pranë një arritjeje të madhe me fanellën e Kombëtares shqiptare. Sulmuesi kuqezi po përjeton një moment të shkëlqyer dhe tashmë është vetëm tre gola larg rekordit historik të Erjon Bogdanit, i cili kryeson listën e golashënuesve më të mirë në historinë e Shqipërisë.
Me katër golat e realizuar në këtë edicion të Ligës së Kombeve, 29-vjeçari ka shkuar në kuotën e 15 realizimeve me fanellën kuqezi. Kështu, Manaj ka parakaluar Alban Bushin dhe është ngjitur në vendin e dytë të renditjes historike të golashënuesve të Kombëtares.
Në krye vazhdon të qëndrojë Erjon Bogdani me 18 gola, por distanca mes tij dhe sulmuesit të Sivasporit është tashmë minimale. Me formën që po kalon, Manaj ka mundësinë reale të shkruajë historinë dhe të marrë kreun e kësaj renditjeje.
Paraqitjet e tij në Nations League kanë qenë vendimtare. Sulmuesi ka shënuar ndaj San Marinos, në të dyja përballjet me Finlandën dhe në sfidën e fundit kundër Bjellorusisë. Kontributi i tij ka qenë i rëndësishëm edhe në rezultatet pozitive të Shqipërisë, kuqezinjtë kanë regjistruar 10 fitore, dy barazime dhe një humbje ndaj Finlandës.
Një moment që nuk mund të harrohet është edhe goli historik ndaj Serbisë në Leskovc, ndërsa rrugëtimin me Kombëtaren e kishte nisur në nëntor të vitit 2015, duke shënuar në miqësoren kundër Kosovës.
Tashmë, me statusin e titullarit dhe besimin e fituar në skuadër, Manaj synon hapin e madh: të bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares shqiptare.
