Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është shprehur se nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me kandidimin për Bashkinë e Tiranës.
Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Braçe ka sqaruar qëndrimin e tij për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatit për Bashkinë e Tiranës dhe ka folur lidhur me diskutimet në mbledhjen e Asamblesë së PS-së.
Braçe kundërshtoi publikimin e informacioneve që i cilësoi si të pavërteta dhe interpretime të shtrembëruara të diskutimeve të zhvilluara në mbledhje.
Ai tha se ka kërkuar një proces të hapur politik, ku të përfshihet anëtarësia socialiste dhe më gjerë, për zgjedhjen e kandidatit për kryeqytetin. Sipas Braçes, socialistët në bazë ndihen të harruar, të braktisur dhe të përjashtuar nga vendimmarrja, e cila, sipas tij, është përqendruar në duart e një grupi gjithnjë e më të vogël njerëzish.
Deputeti iu referua edhe deklaratës së kryeministrit Edi Rama për mënyrën e përcaktimit të ministrave dhe deputetëve, duke ngritur pyetjen se kur dhe për çfarë vendosin vetë socialistët.
Braçe theksoi se ambicia për të kandiduar duhet të konsiderohet legjitime për çdo person, brenda apo jashtë PS-së, që ka një projekt politik për Tiranën dhe dëshiron të kontribuojë në qeverisjen e qytetit.
Megjithatë, ai nënvizoi se nuk ka ambicie personale për të qenë kandidat për Bashkinë e Tiranës, duke përsëritur se kërkesa e tij lidhet me ndryshimin e mënyrës së vendimmarrjes brenda Partisë Socialiste.
“Tani, për mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, unë nuk kam folur. Dhe nuk kam folur sepse zbatoj ca rregulla. Nuk nxjerr kurrë në publik çfarë thuhet atje brenda. As për fjalët e mia nuk e kam bërë këtë. Po kur shoh që pisa nga aty brenda nxjerrin të pavërteta, gjysmë të vërteta, sajojnë togfjalësha, qëndrime e të tjera me radhë që u shërbejnë atyre dhe këtyre, natyrisht që duhet të flas.
Shikoni, për çështjen e kandidimit në Bashkinë e Tiranës, unë kam të njëjtin qëndrim, s’kam ndryshuar asgjë. Kam kërkuar proces politik që përfundon me zgjedhjen, në anëtarësinë e Partisë Socialiste dhe më gjerë se ajo, të kandidatit për Bashkinë e Tiranës. Këtë kam thënë dhe në Asamble. Kam thënë qartë që nuk është nevoja ime, por është nevoja e Partisë Socialiste, e socialistëve, që të ndryshojmë mënyrën e vendimmarrjes edhe për kandidatët për kryetar bashkie.
Pra, kam kërkuar dy gjëra. E para, një proces politik, një proces të qartë politik që përfshin socialistët. Sepse, me thënë të drejtën, unë që jam përditë në territor, jo pisat, po unë që jam përditë në territor, takoj njerëz, takoj socialistë, takoj të majtë e kështu me radhë. Kam parë që socialistët ndihen të harruar, ndihen të lënë mënjanë, ndihen të braktisur. Ndiejnë pamundësinë për të pyetur, për të marrë përgjigje në rast se u bie radha të pyesin. Ndihen të papërfshirë dhe, natyrisht, ndiejnë pamundësinë për të marrë vendime. Për ta merr vendime një grusht gjithmonë e më i vogël njerëzish, ku bëj pjesë edhe unë për shkak se jam pjesë e këtyre forumeve.
Referuar edhe asaj që kryetari tha atje, që ministrat i cakton ai, kështu thotë Kushtetuta, por deputetët i caktojnë drejtuesit politikë të qarqeve. Me gjasë, do t’i caktojnë edhe kandidatët për kryetarë bashkie apo këshilltarë po ata. Po prapë, çfarë kam kërkuar unë aty? Ka qenë përgjigje e një pyetjeje që e kam bërë po aty. Po socialistët kur vendosin? Kur vendosin dhe për çfarë vendosin?
Pikërisht në referencë të kësaj kam kërkuar një proces politik, siç kam kërkuar që t’i njihet si legjitime ambicia e cilitdo brenda partisë apo jashtë partisë, anëtar partie apo i majtë, apo në shoqërinë civile, që e mendon Partinë Socialiste si një instrument të vlefshëm, që ka një projekt politik, ekonomik, social, shoqëror, urban për të ndryshuar qeverisjen e qyteteve tona, duke filluar nga Tirana. Dhe nëse njihet, po e përsëris, si legjitime, po, në një proces të tillë unë do të jem pjesë, afërmendsh, sepse e kam kërkuar nga dita një unë. Po nuk kam pikën e ambicies, dhe e kam thënë aty, të jem pjesë e një procesi njoftimi të një emri, qoftë ky edhe emri im. Për atë s’kam asnjë lloj ambicieje. E kam thënë aty, po e ndaj me ju, vazhdoj ta them. Kjo është e vërteta. Tani vazhdoni, ndotni ambientin, po prapë…”, tha mes të tjerash Erion Braçe, përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale.











Komente
Komento