BE ka hapur dritën jeshile për sanksione të reja ndaj 30 personave fizikë dhe dy entiteteve ruse që sipas autoriteteve europiane, po veprojnë në manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjet me jashtë përmes aktiviteteve të paligjshme kibernetike.
Ndër subjektet e shtuara në listë, të cilat do t’i nënshtrohen masave kufizuese të BE-së, janë Social Design Agency (SDA), kompani e drejtuar nga administrata presidenciale ruse, dhe grupi i hakerave NoName057(16).
Nga sanksionet janë prekur gjithashtu blogerë dhe personazhe televizivë aktivë në Rusi.
Masa është pjesë e një pakete më të gjerë sanksionesh që godet 12 persona fizikë dhe 101 entitete për rolin e tyre në sektorë kyç ekonomikë që mbështesin luftën në Ukrainë. Ndër to përfshihen gati 50 banka dhe institucione financiare.













