U kap me 105 gramë kokainë, vdes gjatë marrjes në pyetje nga policia
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Kosovë, ku një grua e ndaluar nga Policia në pikën kufitare të Vërmicës ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet.
Gruaja ishte ndaluar më 15 nëntor, rreth orës 18:00, së bashku me një shtetas tjetër të Kosovës, pasi automjeti tip BMW me të cilin udhëtonin u përzgjodh për kontroll në pikën kufitare. Gjatë verifikimit të makinës, efektivët zbuluan dhe sekuestruan 105.7 gramë substancë të dyshuar si kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy telefona celularë.
Pas ndalimit, gruaja u shoqërua për procedurat përkatëse dhe po merrej në pyetje në prani të avokatit të saj mbrojtës. Por gjatë intervistimit ajo shfaqi probleme shëndetësore, duke bërë që të kërkohej menjëherë ndërhyrja e shërbimit të urgjencës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, fillimisht asaj iu dha ndihma e parë në vendngjarje dhe më pas u transportua drejt Spitalit të Përgjithshëm Rajonal të Prizrenit për trajtim të mëtejshëm. Megjithatë, rreth orës 01:30, autoritetet u informuan nga mjekët se gruaja kishte ndërruar jetë.
“E dyshuara femër kosovare përderisa ka qenë duke filluar intervistimi me prezencë të avokatit mbrojtës, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, ku edhe është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren. Pas ofrimit të ndihmës së parë mjekësore në vend, nga emergjenca ajo është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ku nga mjekët kompetentë, rreth orës 01:30, Policia është informuar se personi në fjalë ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, hetimet kanë marrë një drejtim të zgjeruar për të zbardhur jo vetëm rrethanat e ndalimit, por edhe shkaqet që çuan në vdekjen e gruas. Trupi i saj është dërguar për ekspertizë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa në hetimin e rastit është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Gjatë veprimeve të mëtejshme hetimore, me urdhër të prokurorit kompetent është kontrolluar edhe banesa e personit tjetër të dyshuar, ku policia ka gjetur dhe sekuestruar një pajisje për identifikimin e sinjaleve GPS dhe kamerave.
Shtetasi mashkull që udhëtonte me të është ndaluar për 48 orë, ndërsa për rastin janë angazhuar hetuesit e Stacionit Policor në Prizren, Sektori Rajonal i Hetimeve, njësitë e forenzikës dhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Autoritetet po vijojnë verifikimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen, ndërsa ekspertiza mjekoligjore pritet të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të vdekjes së gruas.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



