
Turizmi në Shqipëri vijoi të rritet edhe në shtator, me 9,2% më shumë vizitorë në strukturat akomoduese krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kosova dhe Italia kryesuan listën e vendeve nga erdhën turistët e huaj, ndërsa bregdeti mbeti destinacioni më i preferuar.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i vizitorëve vendas u rrit me 12,7%, ndërsa ai i të huajve me 8,1%. Në total, 437.885 vizitorë jorezidentë u akomoduan në vend gjatë shtatorit, duke përbërë rreth tre të katërtat e vizitorëve.
Kosova kryesoi me 13% të vizitorëve të huaj, e ndjekur nga Italia me 11%, Polonia me 10%, Franca me 9% dhe Gjermania me 8%. Bregdeti vijoi të tërhiqte numrin më të madh të vizitorëve, me rreth 393 mijë, ose 68% të totalit. Jugu priti rreth 224 mijë vizitorë, 14,9% më shumë se një vit më parë.
Rritjen më të madhe e regjistroi Veriu, me 23,1%, ndërsa në rajonin Qendër, ku përfshihen Tirana dhe Elbasani, numri i vizitorëve ra me 6,5%. Edhe netqëndrimet shënuan rritje me 7,5%. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 54%, nga 52,7% që ishte në shtator të vitit 2025.
Pas një vere disi të zbehtë, operatorët turistikë e kishin parashikuar rritjen e shtatorit, duke e lidhur me zgjatjen e sezonit turistik drejt vjeshtës. Rezervimet për turet e organizuara të turizmit bregdetar vijuan deri në fillim të tetorit, ndërsa interesi për turizmin kulturor ka ardhur në rritje gjatë pranverës dhe vjeshtës.
Megjithatë, ecuria e muajve tetor dhe nëntor mbetet për t’u parë. Operatorët kanë konfirmuar një rënie të rezervimeve gjatë tetorit, të cilën e lidhin edhe me tensionet politike dhe protestat në vend.
