UEFA ka caktuar gjyqtarët që do të ndajnë drejtësinë në përballjen vendimtare ndërmjet Irlandës dhe Kosovës, në kuadër të xhiros së fundit të Ligës së Kombeve.
Ndeshja, që do të zhvillohet të martën nga ora 20:45 në Dublin, do të drejtohet nga arbitri letonez Edgars Malcevs.
Malcevs do të asistohet nga bashkëkombësit e tij, Martins Svipsts dhe Deniss Sevcenko, të cilët do të kenë detyrën e ndihmësve të arbitrit kryesor.
Kjo përballje ka rëndësi të madhe për Kombëtaren e Kosovës, e cila synon ta përfundojë edicionin në pozitën e dytë të Grupit B3.
Dardanëve u mjafton edhe një barazim në Dublin për ta siguruar matematikisht vendin e dytë në grup, ndërsa një fitore do të ishte përmbyllja ideale e këtij edicioni.
Skuadra e drejtuar nga Franco Foda do të kërkojë të përsërisë paraqitjen pozitive nga përballja e parë ndaj Irlandës, të cilën e kishte fituar me rezultat 1:0.
Të gjitha sytë do të jenë të drejtuar nga Dublini, ku Kosova do të kërkojë ta përmbyllë me sukses aventurën e saj në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
