
Bota akademike dhe kultura shqiptare janë në zi pas ndarjes nga jeta të prof. dr. Ramazan H. Bogdanit, një prej studiuesve të shquar të etnografisë dhe valleve popullore shqiptare.
Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga Komisioni i Arteve dhe Komisioni i Antropologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. I vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, Bogdani u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme shkencore dhe kulturore.
Gjatë veprimtarisë së tij, ai iu përkushtua studimit, dokumentimit dhe ruajtjes së traditave shqiptare, veçanërisht në fushën e valleve dhe vallëzimit popullor, duke dhënë një kontribut të vyer në njohjen e trashëgimisë kulturore jomateriale.
I lindur në Tiranë në vitin 1933, Ramazan Bogdani ndoqi fillimisht Liceun Artistik “Jordan Misja”, gjatë viteve 1948–1952. Më pas vijoi studimet në Institutin Pedagogjik dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani”, ndërsa arsimin e lartë e përfundoi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, në degën e Etnografisë.
Me ndarjen e tij nga jeta, kultura shqiptare humbet një studiues të përkushtuar, puna e të cilit mbetet një kontribut i çmuar për ruajtjen dhe përcjelljen e traditave kombëtare te brezat e ardhshëm.
