Ish-kreu i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, po kthehet në punë në Prokurorinë e Lartë në Gostivar, pasi prokurorja Iskra Haxhi Vasileva mori detyrën e tij si kryeprokurore.

Abazi vlerësoi se gjatë udhëheqjes së tij, prokuroria punoi profesionalisht, ligjërisht dhe pa ndikime të jashtme.


Me largimin nga detyra, Abazi tregoi se po linte pas prokurorë publikë të trajnuar dhe një ekip funksional hetimor, të cilët, siç tha ai, mund t'u përgjigjen sfidave dhe kompetencave të kësaj prokurorie. Ai shprehu pritjen e tij që prokurorët do të vazhdojnë të veprojnë me sukses në të ardhmen nën udhëheqjen e kryeprokurores së re, Iskra Haxhi-Vasileva.

"Besoj se kemi punuar profesionalisht, ligjërisht dhe objektivisht, në mënyrë të paanshme, pa ndikime të jashtme. Po lë pas një ekip të mirë prokurorësh publikë, prokurorë publikë ekspertë, prokurorë publikë të trajnuar që mund t'u përgjigjen sfidave dhe kompetencave të asaj prokurorie", tha Abazi.

I pyetur për rastin e dështuar të "Mazutit në TEC Negotino", i cili u mbyll nga prokuroria që ai drejtonte, por më pas u rikthye në punë me vendim të Prokurorisë së Lartë të Shkupit, Abazi tha se nuk është vetëm ky rast.

"Epo, nuk është vetëm ky rast. Vendimet merren në prokurori dhe palët e dëmtuara kanë të drejtë të ankimojnë. Kjo është arsyeja pse Prokuroria e Lartë Publike është këtu. Nëse ata përcaktojnë se diçka është lënë pas dore, ata japin udhëzime, dhe ne jemi të detyruar të veprojmë sipas tyre. Pasi të merren të gjitha provat dhe veprimet e kërkuara nga Prokuroria e Lartë Publike, atëherë do të merret një vendim i prokurorit publik", tha Abazi.

Ndryshe, rasti i "Mazutit në TEC Negotinë" kishte të bënte me një aferë me vlerë 167 milionë euro, dhe hetimi u mbyll me vendim të prokurores Katerina Kolarevic. Rasti u "ringjall" përsëri pasi Prokuroria e Lartë Publike e Shkupit pranoi kundërshtimin e EMV.

Lënda është kthyer në Prokurorinë Publike të Departamentit të Hetimit Penal me një urdhër për të mbledhur të dhëna shtesë nga institucionet dhe për të urdhëruar raporte të reja ekspertësh për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme penale.