SPAK për takimin e ministrit të Drejtësisë me Veliajn në burgun e Fierit, Braho: Nëse ka marrë autorizim, duhet ta konsultoj me prokurorët

16/11/2026 14:38

Kryeprokurori Klodian Braho i është përgjigjur pyetjeve edhe për takimin e Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me kryebashkiakun Erion Veliaj në ambientet e burgut të Fierit.

I pyetur nëse ministri i Drejtësisë kishte marrë autorizim nga SPAK për të takuar Veliajn, Braho deklaroi se duhet të konsultohet me dy prokurorët e çështjes për të konfirmuar nëse një leje e tillë është dhënë.

Pyetje: Ministri i Drejtësisë ka pranuar që ka takuar Veliajn dhe ka marrë leje nga SPAK?

Braho: Kjo është sekret. Nëse ka marrë autorizim nga prokurorët, duhet ta konsultoj me dy prokurorët e çështjes dhe t’jua them.

Pyetje: Sara Mile a është marrë nën hetim?

Braho: Është çështje nën hetim dhe s’mund të jap përgjigje për sa kohë nuk ka përfunduar.

Pyetje: A janë bërë kërkime nga SPAK për llogari jashtë vendit?

Dorina Bejko: Kemi mbyllur hetimet dhe çfarë thamë deri tani do t’ia dorëzojmë gjykatës.

Pyetje: Pse po zgjat kaq shumë hetimi për 21 Janarin?

Braho: SPAK dërgon kërkesat për ndihmë juridike dhe presim.

Pyetje: Në 6 nëntor ju keni firmosur një shkresë të depozituar ku është person i kallëzuar.

Përgjigje: Siç ju jemi përgjigjur, qëndrojmë te përgjigjja që ju kemi dërguar si kallëzues.

Pyetje: Sa hetime kryesisht ka nisur SPAK kryesisht për këtë çështje dhe sa rekomandime kemi dërguar prokurorisë?

Braho: Nuk i kam këto të dhëna. Kur të bëhet një analizë vjetore, do t’i keni.

Pyetje: Para pak javësh gjykata konfirmoi masë ndaj ish-kreut të SHISH-it. A keni besim ju te SHISH-i?

Braho: Bashkëpunimi vijon dhe personalisht unë u besoj institucioneve shtetërore.

Pyetje: A keni diçka për draftin e KPP-së?

Braho: Ne e kemi marrë draftin edhe zyrtarisht, kemi ngritur një grup pune dhe kemi përgatitur një dokument përfundimtar për çfarë qëndrimi ka prokuroria dhe këtë konkluzion ia kemi dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë.

Top Channel