Kryeprokurori Klodian Braho ka dhënë përgjigje lidhur me disa çështje që i janë drejtuar gjatë konferencës. Pyetur nëse Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, kishte marrë autorizim nga SPAK për të takuar kryebashkiakun Erion Veliaj në ambientet e burgut të Fierit, Braho tha se kjo është sekret dhe se do të konsultohet me dy prokurorët e çështjes për të verifikuar nëse është dhënë një leje e tillë dhe më pas do t’ua bëjë të ditur.
Për rastin e Sara Mile, Braho deklaroi se çështja është nën hetim dhe se nuk mund të japë përgjigje për aq kohë sa hetimet nuk kanë përfunduar. Ndërsa, kur u pyet për veprimet e SPAK jashtë vendit, prokuroresha Dorina Bejko u shpreh se hetimet janë mbyllur dhe se çfarë është thënë deri tani do t’i dorëzohet gjykatës.
Sa i përket vonesave në hetimin lidhur me ngjarjet e 21 janarit, Braho shpjegoi se SPAK dërgon kërkesat për ndihmë juridike dhe institucionet presin përgjigjet, duke e paraqitur kështu pritjen e këtyre përgjigjeve si një prej shkakëve. Kur u pyet për një shkresë të firmosur më 6 nëntor ku figuronte person i kallëzuar, ai ripërsëriti se qëndrojnë te përgjigjja që i është dërguar palës si kallëzues.
Për numrin e hetimeve që SPAK ka nisur për këtë çështje dhe për rekomandimet e dërguara në prokurori, Braho tha se nuk disponon këto të dhëna dhe se informacioni do të pasqyrohet në analizën vjetore.
Lidhur me vendimin e gjykatës për masë ndaj ish-kreut të SHISH-it, Braho theksoi se bashkëpunimi me SHISH-in vazhdon dhe se ai personalisht i beson institucioneve shtetërore. Për draftin e KPP-së, ai njoftoi se prokuroria e ka marrë zyrtarisht, ka ngritur një grup pune, ka përgatitur një dokument përfundimtar që përmban qëndrimin e prokurorisë dhe e ka dorëzuar këtë konkluzion Ministrisë së Drejtësisë.
