Disa ministra të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian kanë folur të hënën kundër diskutimit me Moskën zyrtare për arkitekturën e ardhshme të sigurisë së Evropës, përpara arritjes së një armëpushimi në Ukrainë, duke i bërë thirrje Evropës të mos bjerë në kurthin rus.
Sipas tyre, çdo diskutim i tillë duhet të presë arritjen e një armëpushimi në luftën që Rusia po zhvillon në Ukrainë dhe duhet të varet nga lëshimet domethënëse që do të bëjë Moska.
Pasi Rusia ka deklaruar të premten se do të ishte e hapur për pjesëmarrjen e vendeve evropiane në bisedimet e paqes, nëse do të shihte se ato synonin sinqerisht të kontribuonin për paqen, udhëheqësit e BE-së ranë dakord që ekipi i Evropës të përbëhej nga Britania e Madhe, e cila nuk është anëtare e BE-së, Franca, Gjermania, Italia dhe Polonia, si dhe institucionet e Bashkimit Evropian.
Ndërsa ekziston një marrëveshje se kush duhet të marrë drejtimin, ministrat e disa vendeve të tjera kanë thënë se BE-ja duhet të përqendrohet për momentin në rritjen e mbështetjes për Ukrainën dhe kanë vënë në pikëpyetje dëshirën e vërtetë të Rusisë për të negociuar.
“Rregullat po funksionojnë, por problemi është se Rusia po i shkel ato”, u ka thënë gazetarëve ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kestutis Budrys, gjatë takimit të përmuajshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.
Duke iu referuar mundësisë së nisjes së bisedimeve me Rusinë për çështjet e sigurisë në këtë moment, Budrys tha: “Kjo i krijon Rusisë shumë mundësi për të përfituar diçka. Prandaj, nuk duhet të biem në këtë kurth”.
Zyrtarët rusë kanë bërë thirrje që të arrihet një marrëveshje e gjerë për arkitekturën e sigurisë së Evropës përpara se të trajtohen çështjet konkrete të luftës në Ukrainë.
“Ajo që duhet të shohim është një armëpushim, në mënyrë që të mund të nisim bisedimet për çdo çështje tjetër. Për momentin nuk po e shohim këtë, sepse Rusia po e përshkallëzon vërtet situatën”, ka thënë shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, duke akuzuar Moskën se dëshiron ta përdorë këtë proces si pretekst për të vazhduar luftën.
“Ata (Rusia) janë agresori. Duhet të shohim lëshime nga ana e tyre”, ka shtuar Kallas.
Në kuadër të përpjekjeve të BE-së për të mbajtur presionin ndaj Moskës lidhur me luftën, një paketë e re sanksionesh është duke u finalizuar dhe do të diskutohet më vonë gjatë kësaj jave, ka thënë ministrja e Jashtme e Irlandës, Helen McEntee, vendi i së cilës mban presidencën e BE-së.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, i cili ka thënë se Parisi do të organizojë më 4 dhjetor një konferencë me Britaninë e Madhe për flotën në hije të Rusisë, ka deklaruar se në një afat të menjëhershëm, BE-ja kishte miratuar të hënën 145 emërtime të reja në listën e sanksioneve.
Ai ka shtuar se sanksionet do të vendosen ndaj Tatyana Kim, drejtoreshë ekzekutive e kompanisë ruse të shitjeve online Wildberries, si dhe ndaj terminalit të naftës në Shën Petersburg.
“Ne do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë, pavarësisht se sa fort përpiqet Rusia e Putinit ta drejtojë debatin sipas interesave të saj, përmes kërkesave gjithnjë e më absurde dhe maksimaliste”,ka thënë ndërkaq ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul.
“Së shpejti do të bëhet e qartë nëse Rusia dëshiron vërtet të negociojë apo nëse thjesht po përpiqet të fitojë kohë dhe të krijojë përshtypjen se po zhvillohen negociata”, ka shtuar ai.
Rundi i fundit i bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë me ndërmjetësimin e SHBA-së, është zhvilluar më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi.


