Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj ka deklaruar se statusi aktual i Kosovës në procesin e integrimit evropian nuk pasqyron përparimin që ka shënuar vendi në fusha të ndryshme.

Përmes një postimi në platformën X, Zulfaj ka thënë se Kosova ka shënuar përmirësime në pesë tregues ndërkombëtarë që matin sundimin e ligjit, liritë demokratike, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias dhe zgjedhjet.


Ai ka rikujtuar se, pavarësisht aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat për BE.

“Ky është kuptimi i asaj që kryeministri Kurti thotë kur deklaron se statusi i Kosovës në procesin e anëtarësimit në BE nuk pasqyron progresin e saj”, ka shkruar Zulfaj.

Ai ka theksuar se përparimi i Kosovës duhet të njihet dhe reformat të shpërblehen, duke kërkuar që procesi i zgjerimit të BE-së të bazohet në meritë dhe të zbatohet njësoj për të gjitha vendet.

Në fund, Zulfaj ka vlerësuar se Kosova është e gatshme të ndërmarrë hapin e radhës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/