Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, gjatë takimit me gazetarët, ka folur edhe për vënien nën masën e arrestit në shtëpi të ish drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni.
Braho bëri me dije se, pavarësisht masës së marrë ndaj Hysenit, bashkëpunimi mes Prokurorisë së Posaçme dhe SHISH ka vijuar normalisht.
“Pavarësisht masës ndaj Vlora Hysenit, bashkëpunimi me SHISH-in ka vijuar. Besoj institucioneve dhe nuk mund t’i përgjithësoj nga veprimet e një individi”, u shpreh Braho.
Ndërkohë, i pyetur për draftin e Kodit të Procedurës Penale, ai tha se institucioni ka përfunduar analizën e tij dhe ia ka përcjellë qëndrimin ministrisë së Drejtësisë.
“Ne e kemi marrë draftin edhe zyrtarisht. Kemi ngritur një grup pune me prokurorë dhe këshilltarë, të cilët kanë bërë një analizë të hollësishme të tij. Secili prokuror ka bërë një koment dhe analizë në lidhje me draftin. Ne kemi bërë gati një dokument dhe javën e kaluar ia kemi paraqitur ministrit të Drejtësisë qëndrimin tonë”, deklaroi Braho.










