Përshpejtimi i procesit të rindërtimit në Kombinat dhe në lagjen “5 Maji”, si dhe zgjidhja e problematikave që kanë penguar ecurinë e punimeve, ishin në fokus të mbledhjes së grupit të punës, të drejtuar këtë të hënë nga ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo.
Në mbledhjen e zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme morën pjesë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Rroka, si dhe përfaqësuesi i Bashkisë Tiranë, Alban Dokushi.
Gjatë takimit, ministri Demo bëri të ditur se përgatitja e mbështetjes financiare prej 1.8 miliardë lekësh nga buxheti i qeverisë qendrore për Bashkinë Tiranë ndodhet në fazën përfundimtare. Fondi synon të përshpejtojë ndërtimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Kjo mbështetje financiare pritet t’i japë një shtysë të re procesit, ndërsa institucionet përgjegjëse po koordinojnë ndërhyrjet për të zgjidhur çështjet që kanë penguar ecurinë e punimeve.
“Vështirësitë mes institucioneve duhet t’i zgjidhim ne. Familjet nuk duhet të vazhdojnë të presin për shkak të tyre”, theksoi Demo, duke kërkuar përcaktimin e përgjegjësive të qarta dhe të afateve konkrete për çdo çështje të mbetur pezull.
Ministri nënvizoi se procesi do të ndiqet në mënyrë të vazhdueshme, përmes takimeve periodike ndërinstitucionale dhe kontrolleve në terren, deri në përfundimin e banesave dhe dorëzimin e tyre te familjet përfituese.
“Do ta ndjek këtë proces me takime të rregullta dhe kontrolle në terren, deri në përfundimin e banesave dhe dorëzimin e çelësave. Për familjet që presin, ky është rezultati që ka rëndësi. Dhe kjo është përgjegjësia jonë ndaj tyre”, u shpreh Demo.
Përmes mbështetjes financiare dhe koordinimit të drejtpërdrejtë mes institucioneve, synohet të përshpejtohet një prej proceseve më të rëndësishme për familjet e prekura nga tërmeti, me qëllim që pritja shumëvjeçare të marrë fund dhe qytetarët të marrin sa më parë banesat e tyre të reja.
