Plas sherri për “punë partish” në Klos, matjanët rrihen me grushte në mes të rrugës
Në konflikt janë përfshirë djali i kryebashkiakes Valbona Kola dhe bashkëshorti i saj, shef i Krimeve në Komisariatin e Bulqizës.
Një konflikt fizik mes disa personave është regjistruar në qytetin e Klosit, pasditen e së dielës, më 15 nëntor 2026. Ngjarja ka shkaktuar tension në zonë, ndërsa pamjet e publikuara tregojnë momentet kur personat e përfshirë përplasen me grushte në mes të rrugës.
Sipas informacioneve paraprake, në konflikt janë përfshirë qytetari F. M. dhe djali i tij, nga njëra anë, si dhe pjesëtarë të familjes Kola, nga ana tjetër.
Mes personave që përmenden në lidhje me ngjarjen janë Ervis Kola, djali i kryetares së Bashkisë së Klosit, Valbona Kola, dhe bashkëshorti i saj, Ferdi Kola. Ky i fundit raportohet se ushtron detyrën e shefit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë.
Rrethanat që çuan në përplasjen fizike mbeten ende të paqarta. Sipas dyshimeve të ngritura, konflikti mund të ketë pasur sfond politik dhe të jetë nxitur nga përplasjet mes palëve për shkak të bindjeve të tyre. Megjithatë, ky pretendim nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe mbetet për t’u verifikuar.
Mësohet se gjatë sherrit disa persona janë goditur me grushte, ndërsa qytetarë të tjerë kanë ndërhyrë për t’i ndarë dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Përfshirja e personave që lidhen me funksione publike dhe struktura të Policisë së Shtetit e bën të domosdoshëm sqarimin e plotë të rrethanave, shkakut të konfliktit dhe përgjegjësive individuale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



