Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Brukseli për incidentin e ndodhur gjatë Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Europian, ku u interpretua një këngë nacionaliste serbe kundër Kosovës. Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e II-të të Zgjerimit të BE-së, Rama e cilësoi këtë akt si një provokim që nuk duhet të kalojë në heshtje, duke theksuar se mesazhe të tilla bien ndesh me frymën europiane.
“Një këngë pa shije nacionaliste, u interpretua në prag të këtij forumi, kundër gjithçkaje që përfaqësonte. Nuk është se e lëndon vetëm ndjenjat e kombit shqiptar, të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por ka të bëjë me nevojën për të mos na lënë që të kalojë në heshtje atë që kërkon të na kthejë në kohë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se, pavarësisht rëndësisë së afrimit të Serbisë me Bashkimin Europian, nuk duhet të lejohen provokime që rikthejnë tensionet dhe konfliktet e së kaluarës. “E di sa e rëndësishme është për fqinjësinë tonë, që ta mbajnë Serbinë në anën tonë, të Europës, gjatë gjithë kohës dhe dua të sigurohem që ajo që po them të mos shkojë në të kundërt të kësaj bindjeje, por nuk duhet të lëmë hapësira për beteja mesjetare, që të kalojnë në fantazira”, deklaroi kryeministri.
Në përfundim, Rama përsëriti qëndrimin e tij për domosdoshmërinë e njohjes së Kosovës nga Serbia, duke e cilësuar këtë hap si të rëndësishëm për stabilitetin dhe të ardhmen europiane të rajonit. “Sa më shpejt Serbia të njohë Republikën e Kosovës, aq më mirë do të jetë për ne. Ne nuk po kërkojmë që të vijmë këtu, po kërkojmë që të sjellim Europën atje”, përfundoi Rama.
