Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka dhënë detaje të reja lidhur me dosjen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ka kaluar për gjykim në GJKKO.

Lala bëri me dije se në javën e parë të dhjetorit pritet të mësohet emri i gjyqtarit paraprak, i cili do të caktohet me short. Pas këtij procesi do të përcaktohet edhe një datë konkrete për nisjen e shqyrtimit të çështjes.

Sipas gazetares, gjykimi paraprak mund të kërkojë kohë për shkak të numrit të lartë të të pandehurve dhe kërkesave që pritet të paraqiten nga palët.

“Në javën e parë të dhjetorit mund të kemi edhe emrin e gjyqtarit paraprak, i cili do të hidhet me short. Më pas do të kemi edhe një datë konkrete. Gjykimi paraprak mund të kërkojë kohë, sepse mund të ketë një mori kërkesash, duke qenë se kemi një numër të lartë të pandehurish”, deklaroi Lala.

Ajo bëri të ditur se në dosje janë 25 individë të pandehur dhe dy kompani, konkretisht Alko Impex e Arbër Abazit dhe Eurocol e Pandeli Carapulit.

Mes emrave të përfshirë në dosje janë edhe biznesmenë të tjerë, si Sako dhe Paqsor Buzo, si dhe disa prej vartësve të Belinda Ballukut.

Lala u ndal edhe te ish-drejtori i KESH-it, Evis Berberi, i cili është i vetmi person i arrestuar në këtë çështje. Ai ndodhet në burg që prej vitit 2024, kur SPAK e arrestoi për çështje të tjera. Sipas gazetares, nga zbërthimi i telefonit të tij celular u zbuluan të dhëna që çuan në hapjen e hetimeve të tjera, mes tyre edhe ato që lidhen me Ballukun.

Në dosje përmenden gjithashtu emrat e Joana Bushit, Viola Haxhiademit, Gentian Gjylit dhe Erald Elezit, si dhe ish-futbollistit Igli Tare.

Për këtë të fundit, sipas SPAK, dyshohet se emri i tij është përdorur për fshehjen e pronësisë së dy vilave që lidhen me Belinda Ballukun.

Gazetarja tregoi se gjatë konferencës për mediat, gazetarët e pyetën kreun e SPAK, Klodian Braho, nëse Igli Tare kishte përfituar diçka nga Balluku në këmbim të këtij shërbimi, duke ngritur pikëpyetje nëse ish-futbollisti kishte qenë thjesht personi, emri i të cilit ishte përdorur, apo nëse kishte pasur edhe përfitime të tjera.

Lala: Në javën e parë të dhjetorit mund të kemi edhe emrin e gjyqtarit paraprak, i cili do të përzgjidhet me short. Më pas do të caktohet edhe një datë konkrete. Gjykimi paraprak mund të kërkojë kohë, pasi mund të ketë një mori kërkesash për shkak të numrit të lartë të të pandehurve.

Në këtë dosje janë 25 individë të pandehur dhe dy kompani: Alko Impex, e Arbër Abazit, dhe Eurocol, e Pandeli Carapulit. Ka edhe biznesmenë të tjerë, si në rastin e Sakos dhe Paqsor Buzos, si dhe një numër biznesmenësh të tjerë që duhen shqyrtuar. Në dosje përfshihen edhe vartës të Ballukut.

I vetmi i arrestuar është Evis Berberi, i cili u arrestua në vitin 2024, kur SPAK e akuzoi për çështje të tjera. Përmes zbërthimit të celularëve të tij u gjetën të dhëna që çuan në hapjen e çështjeve të tjera, mes tyre edhe atë të Ballukut.

Në dosje janë gjithashtu Joana Bushi, Viola Haxhiademi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, si edhe ish-futbollisti Igli Tare, emri i të cilit, sipas SPAK, është përdorur për fshehjen e pronësisë së vilave të Ballukut.

Gazetarët e pyetën Brahon nëse Tare kishte përfituar diçka nga Balluku për këtë shërbim, të cilin e cilësuan si të tillë në thonjëza, duke nënkuptuar se emri i tij mund të jetë përdorur thjesht për këtë qëllim, pa marrë ndonjë favor në këmbim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb