E ardhmja e Elia Caprile-s me Kombëtaren shqiptare mbetet ende e paqartë. Pavarësisht se portieri i Cagliari-t është pajisur me pasaportë shqiptare, vetë futbollisti ka bërë të ditur se deri tani nuk ka pasur asnjë kontakt nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Deklarata e tij për mediat italiane vjen në një moment kur presidenti i FSHF-së, Armand Duka, kishte konfirmuar më herët se pajisja me pasaportë shqiptare lidhej pikërisht me mundësinë që Caprile të bëhej pjesë e Kombëtares kuqezi.

Partnerja e portierit, Emili Toshkollari, me origjinë shqiptare, ka qenë lidhja që i ka mundësuar atij marrjen e shtetësisë shqiptare. Ndërkohë, Caprile po kalon një sezon shumë të mirë në Serinë A, ku renditet si portieri me numrin më të lartë të pritjeve në kampionatin italian.

Çfarë deklaroi Armand Duka më herët

“Ka diçka të vërtetë. Tashmë Caprile është pajisur me pasaportë shqiptare, me objektivin për të qenë pjesë e ekipit kombëtar shqiptar. Kjo është procedurë, e cila duhet të ndiqet nga ne. Nëse do më pyesni, nga kualiteti sportiv besoj se ka shumë kualitet për ta ndihmuar Kombëtaren shqiptare.

Është moshë relativisht e re, nëse llogarisim edhe për sa vite luajnë portierët. Nuk është një rrufe në qiell të hapur. Ka një lloj lidhje me Shqipërinë. Nuk është se e ka marrë këtë pasaportë kot.

Të shohim në vazhdim. Nëse do e kemi në ekipin kombëtar, do të jetë vlerë e shtuar. Nuk është një gjë që mund të ndodhë sot”.

Intervista e Caprile-a për “Corriere della Sera”

A e dini se jeni portieri që bën më shumë pritje në Serinë A?

“Po, por vetëm sepse i kam studiuar të dhënat pak kohë më parë”.

Katër ndeshje nga 11 pa pësuar gol. Askush nuk ka bërë më mirë.

“Por unë nuk e vlerësoj vetëm pritjen. Ajo varet edhe nga fati”.

Pse askush nuk do të kishte vënë bast për ju?

“Shumë herë kam menduar të heq dorë. Disa trajnerë janë treguar të këqij me mua. Nuk luaja, isha më i shkurtër se të tjerët dhe i shëndoshë. Ma bënin këtë një faj dhe unë vuaja. E kisha humbur veten”.

Domethënë?

“Në moshën 15 ose 16 vjeç, ekziston një jetë e tërë jashtë futbollit. Shokët, festat, vajzat, ndonjë marrëzi. Kisha humbur nga sytë rrugën”.

Dhe si e gjetët përsëri?

“Falë dy trajnerëve të portierëve, Bresan dhe Skuizi. Ata folën me mua në mënyrën e duhur dhe në momentin kur kisha më shumë nevojë, duke më bërë të kuptoja se futbolli është i përbërë nga sakrifica. Para dhe pas stërvitjeve”.

E meritonit Italinë?

“Besoj se jam në atë nivel, po e dëshmoj këtë. Por e di që gjithçka mund të ndryshojë dhe se duhet të përqendrohem vetëm te ajo që varet nga unë. Për pjesën tjetër nuk e humbas gjumin”.

Ndërkohë, keni marrë shtetësinë shqiptare.

"Për shkak të origjinës së Emilit, partneres sime. Nëse nga kjo mund të lindë diçka, nuk e di. Deri më sot, askush nga federata nuk ka trokitur në derën time. Nëse do ta bëjë, do ta vlerësoj."

Pas pushimit vijnë Komo dhe Milani. Jeni gati për një skuadër të madhe?

“Mendoj për Cagliari-n, ai është Champions-i im. Jemi një skuadër me karakter. Mund të na ndodhë gjithçka, por nuk dalim kurrë të mundur. Trajneri Pisakane na e thotë gjithmonë: ‘Në vështirësi, gjithmonë me shpinën drejt. Era dhe stuhia herët a vonë përfundojnë’”.

Edhe ju patët guximin të largoheshit nga Napoli i Conte-s.

“Në verë më tha: ‘Qëndro këtu dhe do të luash për vendin me Meretin’. Ishte i drejtpërdrejtë, edhe unë po ashtu. Ai zgjodhi Aleksin dhe bëri mirë, sepse fitoi titullin kampion. Por unë isha 23 vjeç dhe kisha një dëshirë të madhe për të luajtur. Një nevojë fizike. Pa ndeshjen e së dielës, është sikur të më mungojë një pjesë”.

Dhe çfarë ndodhi?

“Në janar i thashë se dëshiroja të largohesha. Nuk e priti mirë, por më pas kuptoi”.

Mbyllni sytë: kujtimi i parë?

“Vera e vitit 2006, unë me fanellën e artë të Bufonit në kopshtin e shtëpisë, duke bërë sikur isha ai”.

Ndërkohë, djali juaj Edoardo është gati të mbushë një vjeç.

“Ai ka ndryshuar gjithçka. Askush nuk të mëson të bëhesh prind, duhet të gjesh ekuilibra të rinj. Ai bëhet gjëja e parë për të cilën mendon kur zgjohesh në mëngjes dhe e fundit para se të shkosh në shtrat në mbrëmje”.

Në rrjetet sociale nuk e shfaqni.

“Unë dhe Emili kemi vendosur ta ekspozojmë sa më pak të jetë e mundur, ta bënim këtë do të ishte egoiste nga ana jonë. Ai, sigurisht, ende nuk mund ta dijë se çfarë lloj bote ekziston jashtë dhe nuk mund t’i njohë rreziqet e saj”.

Keni ndonjë peng në karrierën tuaj?

“Do të kisha dashur ta shijoja më shumë rrugëtimin. Sidomos kur isha i vogël”.

Ëndrra që mbani në sirtar?

“Që Edoardo një ditë të mund të jetë krenar për mua. Jo si portier, por si baba”.