Jennifer Lopez ka ndarë emocionet që ka përjetuar pas largimit të binjakëve të saj, Max dhe Emme, 18 vjeç për të nisur studimet universitare. Gjatë një emisioni këngëtarja 57-vjeçare pranoi se ndarja nga fëmijët ka qenë një periudhë tepër e vështirë emocionalisht.

“Qava për gjashtë muaj rresht, dy muaj para diplomimit të tyre, deri kur i lashë në universitet dhe disa javë pas kësaj”, tregoi ajo.

Lopez, e cila i ka binjakët nga martesa me Marc Anthony, tha se ende e ka të vështirë të besojë se sa shpejt janë rritur.

Megjithatë, artistja pranoi se po shijon edhe lirinë e një kapitulli të ri në jetën e saj.

“Jam vetëm, jam e lirë dhe mund të bëj çfarë të dua! Është e mrekullueshme, por edhe e çuditshme”, u shpreh ajo.

Largimi i fëmijëve duket se i ka dhënë gjithashtu një shtysë krijimtarisë së saj. Jennifer zbuloi se është rikthyer në studio dhe ka krijuar rreth 20 këngë të reja, ndërsa puna për projektin muzikor vijon.