Dy muaj pas shpalljes së aktgjykimit të parë, me të cilin u dënua me 25 vjet burgim në shkallë të parë, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, të martën, do të përballet me një tjetër vendim të Gjykatës Speciale në Hagë, kësaj radhe në rastin ku akuzohet për pengim të drejtësisë.
Në këtë proces gjyqësor, përveç Thaçit, të akuzuar janë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Në prag të shpalljes së aktgjykimit, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe platforma “Liria ka Emër” shprehen skeptike për një vendim të drejtë, ndërkohë që nuk përjashtojnë organizimin e protestave, varësisht nga vendimi që do të merret.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se ka humbur besimin në Gjykatën Speciale, të cilën e konsideron të njëanshme dhe të padrejtë. Sipas tij, është vështirë të pritet një vendim pozitiv, duke marrë parasysh vendimin e 16 shtatorit ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit.
“Nuk mund të them se po presim diçka, në këtë gjykatë nuk kemi shpresa, na ka humbur besimi, sepse është e njëanshme, e padrejtë dhe nuk besoj se do të ketë mrekulli nga kjo gjykatë. Unë prapë do të jem besimtar dhe shpresoj që të paktën Evropa të tregojë se ka drejtësi ndaj neve. Me vendimin e parë që e ka bërë kjo gjykatë, prapë jam skeptik dhe nuk besoj aspak se kjo gjykatë nesër do të lirojë nga aktakuza të gjithë”, tha Gucati.
Sa i përket mundësisë së organizimit të protestave, Gucati thekson se një gjë e tillë nuk përjashtohet, por se për hapat e ardhshëm do të diskutohet në Këshillin Drejtues të organizatës. Ndërsa shpreh shpresën që gjykata të korrigjojë, siç e quan ai, gabimin e bërë me vendimin e parë.
“Ne protestat nuk i përjashtojmë kurrë, do të bisedojmë me këshillin drejtues për hapat e ardhshëm. Nesër do ta përcjellim seancën nga zyra jonë. Sa i përket protestave të paralajmëruara nga SHBA-të, ndoshta ata dinë diçka, ne nuk dimë, por ne si organizatë ende nuk kemi vendosur.
Për vendimin e parë jemi të pakënaqur e total të zhgënjyer me Gjykatën Speciale e cila bëri shkelje të të drejtave të njeriut dhe të burgosurve. Unë shpresoj se në gjykimin e dytë ta përmirësojnë gabimin me dënimin e parë, shpresoj të lirohen nga të gjitha aktakuzat, por nuk i besojmë kësaj gjykate fare”, tha Gucati.
Përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, e cilëson paradoksale zhvillimin e procesit për pengim të drejtësisë pas shqiptimit të dënimit prej 25 vjetësh ndaj Thaçit në procesin e mëparshëm.
Ai vlerëson se edhe aktgjykimi i radhës do të jetë politik duke thënë se do të shqyrtojë mundësitë e organizimeve të ardhshme, duke theksuar rëndësinë e protestave paqësore si formë e shprehjes së pakënaqësisë.
“E para është paradoks në vete, shqiptimi i verdiktit 25 vjet, pastaj gjykimi për pengim të drejtësisë, është e paparë deri më tash. Nuk presim gjë tjetër, përveç asaj të vendimit politik të Gjykatës Speciale. Nuk presim drejtësi, i kemi premisat e asaj se çfarë ka ndodhur deri më tash, gjithsesi do të jetë verdikt puro politik.
Gjithsesi, do të shohim se çfarë organizime do të bëjmë. Nuk e dimë në çfarë analiza ka ardhur në këtë lloj konkludimi, por gjithsesi protestat paqësore janë të nevojshme dhe të domosdoshme në sistemet e demokracisë liberale. Tashmë prej krejt asaj se çka ka ndodhur, e dimë se ata janë marrë të fajshëm prej ditës së parë dhe nuk presim vendime të mara nga ajo gjykatë më kurrë”, tha Tasholli.
Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit në rastin për administrimin e drejtësisë pritet të shpallet të martën, më 17 nëntor 2026, në orën 10:00, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, që lidhen me ndërhyrje të pretenduara në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë. Ata janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me pretendimet për ndërhyrje në administrimin e drejtësisë.










