Pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, Gjermania, Danimarka, Austria, Greqia dhe Holanda, pritet të njoftojnë krijimin e një qendre kthimi për emigrantët në Ruandë, në kuadër të përpjekjeve për të përshpejtuar deportimet dhe për të frenuar migracionin e parregullt.
Sipas burimeve diplomatike, detajet e marrëveshjes pritet të bëhen publike të hënën në Vjenë. Projekti parashikohet të nisë si një program pilot, ku fillimisht do të strehohen rreth 100 persona. Secili prej pesë shteteve do të ketë mundësinë të dërgojë deri në 20 emigrantë.
Skema do të zbatohet vetëm për azilkërkuesit të cilëve u janë shteruar rrugët ligjore për të qëndruar në Bashkimin Evropian. Ndryshe nga marrëveshja e mëparshme mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Ruandës, e cila synonte përpunimin e kërkesave për azil në territorin afrikan, kjo nismë fokusohet te kthimi i personave që nuk kanë më të drejtë qëndrimi në BE.
Pesë vendet kishin bërë të ditur që në shtator se po punonin për një marrëveshje me një shtet jashtë Bashkimit Evropian për ngritjen e të ashtuquajturave “qendra kthimi”. Ndërkohë, autoritetet e Ruandës konfirmuan në gusht se kishin nisur diskutimet paraprake me disa shtete evropiane.
Sipas burimeve diplomatike, synimi është që qendra të bëhet funksionale gjatë vitit 2027. Në këtë proces mund të përfshihet edhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e cila ka konfirmuar se po diskuton me disa vende të BE-së për planet e krijimit të qendrave të kthimit.
Megjithatë, iniciativa ka shkaktuar shqetësime te organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Human Rights Watch ka paralajmëruar për rreziqet që lidhen me dërgimin e emigrantëve në Ruandë, duke iu referuar akuzave për shtypjen e disidentëve, ndalimet arbitrare dhe keqtrajtimin në paraburgim.










