Një histori xhelozie ka përfunduar në një sulm me thikë në Palermo të Italisë. Një 20-vjeçar dyshohet se ka plagosur rëndë ish-partnerin e të dashurës së tij, duke e goditur me thikë në bark.

Viktima, 19 vjeç, është dërguar me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua një operacioni të vështirë kirurgjikal. Pas ndërhyrjes, mjekët kanë bërë të ditur se i riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ka ndodhur pranë stacionit qendror të qytetit, ku fillimisht mes dy të rinjve ka pasur një përplasje fizike, e cila më pas ka përfunduar me përdorimin e një thike të tipit “butterfly”, me teh rreth 10 centimetra.

Sipas dyshimeve të hetuesve, konflikti ka nisur për shkak të xhelozisë së autorit të dyshuar, i cili nuk ka pranuar lidhjen e mëparshme sentimentale mes partneres së tij 25-vjeçare dhe 19-vjeçarit të plagosur.

Pas sulmit, 20-vjeçari është larguar së bashku me dy persona të tjerë, por nuk ka arritur t’u shpëtojë autoriteteve. Karabinierët kanë përdorur pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave që kanë qenë pranë vendit të ngjarjes për të identifikuar dhe lokalizuar tre të rinjtë.

Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit kryesor, policia ka gjetur thikën me gjurmë gjaku, si dhe rrobat që dyshohet se janë përdorur gjatë sulmit. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe telefonat celularë të tre personave.

20-vjeçari është arrestuar dhe dërguar në burgun e Palermos, ku do të presë seancën për vleftësimin e arrestit. Ndërsa dy personat e tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar në tentativën e vrasjes.