
Çështja penale për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, ka kaluar zyrtarisht për gjykim. Në bankën e të akuzuarve do të ulen Elvis Shkambi, Gjon Shkambi dhe Banush Koxhaj, për rolet e dyshuara në ngjarjen e 6 tetorit 2025, e cila përfundoi me vrasjen e gjyqtarit brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Elvis Shkambi akuzohet për vrasjen e funksionarit publik, ndërsa Gjon Shkambi dhe Banush Koxhaj janë gjithashtu të përfshirë në të njëjtën dosje penale, për vepra që lidhen me ngjarjen. Kalimi i çështjes për gjykim vjen pas përfundimit të shqyrtimit paraprak të dosjes nga gjykata.
Ngjarja e rëndë u regjistrua më 6 tetor 2025, gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Astrit Kalaja, Elvis Shkambi dyshohet se nxori një armë zjarri dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij.
Si pasojë e të shtënave, gjyqtari humbi jetën, ndërsa dy persona të tjerë, Ragip dhe Ervis Kurtaj, mbetën të plagosur.
Hetimet zbuluan gjithashtu problematika të rënda në sigurinë e ambienteve të gjykatës, pasi sipas organit të akuzës, personat e përfshirë kishin hyrë në godinë pa iu nënshtruar kontrolleve të nevojshme, pavarësisht sinjalizimit të pajisjes së sigurisë.




