Serbia ka ndërprerë zyrtarisht kontratën për revitalizimin e kompleksit të ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, e cila ishte nënshkruar me një kompani të lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Marrëveshja për ndërprerjen e kontratës është nënshkruar këtë të hënë, në përputhje me vendimin e qeverisë serbe të muajit gusht.
Sipas televizionit publik serb RTS, palët nuk kanë asnjë pretendim financiar ndaj njëra-tjetrës, duke e përmbyllur kështu zyrtarisht procedurën e prishjes së kontratës.
Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës kishte bërë të ditur më herët se projektmarrëveshja për ndërprerjen e kontratës parashikonte shuarjen e të gjitha pretendimeve të mundshme mes palëve.
Projekti për ndërtimin e një hoteli luksoz, hapësirave rezidenciale dhe ambienteve të biznesit në truallin e ish-Shtabit të Përgjithshëm u prezantua për herë të parë në gjysmën e parë të vitit 2024.
Kompleksi ishte dëmtuar rëndë gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Në nëntor të vitit 2024, qeveria serbe vendosi t’i hiqte statusin e pasurisë kulturore, një vendim që, sipas vlerësimit të Prokurorisë dhe paralajmërimeve të mëparshme nga një pjesë e komunitetit profesional, ishte marrë në kundërshtim me ligjin.
Sipas Prokurorisë për Krimin e Organizuar, përfaqësues të disa institucioneve kanë shkelur procedurat ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, me qëllim mundësimin e ndërtimit të kompleksit luksoz.
Në lidhje me këtë çështje janë akuzuar ministri i Kulturës, Nikola Selaković, sekretarja e Ministrisë së Kulturës, Slavica Jelača, drejtori në detyrë i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasić, si dhe drejtori në detyrë i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Beograd, Aleksandar Ivanović.
Ata akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Selaković, Jelača dhe Vasić përballen gjithashtu me akuzën e falsifikimit të një dokumenti zyrtar. Ivanović akuzohet për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.
Procesi gjyqësor nisi më 4 shkurt, ku të pandehurit u deklaruan të pafajshëm. Seanca e parashikuar për 4 nëntor u shty për shkak të shtrimit në spital të të pandehurit Goran Vasić.
Sipas RTS-së, gjyqi pritet të vijojë më 23 nëntor.
