Kryeministri britanik Andy Burnham pritet të deklarojë se Mbretëria e Bashkuar ka humbur më shumë sesa ka fituar nga largimi prej Bashkimit Europian.
Deklaratën ai pritet ta bëjë gjatë një fjalimi në banketin e Lord Mayor, këtë të hënë, përpara samitit Mbretëri e Bashkuar-BE që do të zhvillohet më vonë gjatë javës, sipas BBC.
Burnham do ta krahasojë marrëveshjen e Brexit-it me përrallën “Rrobat e reja të perandorit”, duke argumentuar se një Brexit “i panevojshëm dhe tepër i ashpër” ka krijuar barriera për bizneset, ndërsa premtimi për “rimarrjen e kontrollit” nuk është përmbushur.
“Është si historia e rrobave të reja të perandorit, ku askush nuk është i gatshëm të thotë të vërtetën e dukshme. Epo, unë e them atë që shoh. Dhe, për të qenë i sinqertë, perandori nuk ka asgjë mbi vete.
Brexit-i që na u ofrua nuk ka funksionuar. Kemi humbur më shumë sesa kemi fituar”, pritet të deklarojë Burnham.
Në samitin e së premtes, Burnham pritet të nënshkruajë marrëveshje të reja me bllokun europian për ushqimin, energjinë dhe lëvizshmërinë e të rinjve.
Përmbajtja e këtyre marrëveshjeve është përcaktuar nga paraardhësi i tij, Sir Keir Starmer.
Përpara samitit, kryeministri do të paraqesë tre kritere që, sipas tij, duhet të përmbushë çdo marrëveshje e re.
Së pari, ajo duhet të jetë në përputhje me zotimin e Partisë Laburiste në manifestin elektoral të vitit 2024, sipas të cilit nuk do të ketë rikthim në tregun e përbashkët, në bashkimin doganor apo në lirinë e lëvizjes.
Së dyti, marrëveshja duhet të përmirësojë kushtet e Brexit-it dhe ta afrojë atë me pritshmëritë e qytetarëve që votuan në referendumin e vitit 2016.
Së treti, çdo marrëveshje duhet të kalojë atë që Burnham e quan “testi i Makerfield”, duke sjellë përmirësime konkrete në jetën e përditshme të njerëzve. Ky është një referim ndaj votuesve në zonën e tij elektorale në Greater Manchester.
Burnham do ta cilësojë mundësinë e një marrëveshjeje të re si një përfitim për të dyja palët dhe si dëshmi të një qasjeje të re në marrëdhëniet mes Londrës dhe Brukselit.
“Jo më përplasje. Jo më djegie urash. Por bashkëpunim konstruktiv dhe pozitiv, duke treguar se mund të bashkohemi për të përballuar sfidat e përbashkëta”, pritet të thotë ai.
Më vete, Burnham ka deklaruar se dëshiron të shqyrtojë avantazhet dhe disavantazhet e alternativave të ndryshme për marrëdhënien afatgjatë të Britanisë me Bashkimin Europian.
Sekretari i Jashtëm, Ed Miliband, i tha BBC-së se kryeministri do t’i paraqesë këto mundësi pas samitit Mbretëri e Bashkuar-BE.
Megjithatë, Burnham ka përjashtuar mundësinë e ndryshimeve të mëdha përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.
Partia Konservatore ka reaguar ndaj afrimit të qeverisë laburiste me Brukselin, duke e akuzuar atë se “po na tërheq drejt Bashkimit Europian nga dera e pasme”.
