Sherr në televizionin publik të Armenisë, dy të ftuar përleshen me grushte gjatë transmetimit LIVE

Një debat politik në televizionin publik të Armenisë degjeneroi në përleshje fizike, pasi dy të ftuar kaluan nga përplasja verbale në goditje me grushte, përpara kamerave dhe gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë.
Protagonistë të incidentit ishin gazetari Boris Murazian, i cili përfaqësonte qëndrimet e opozitës, dhe politologu Harutyun Mkrtchyan, i njohur si mbështetës i kryeministrit armen, Nikol Pashinyan.
Ngjarja ndodhi gjatë emisionit politik “The Great Debate”, ku tema e diskutimit ishte agjenda e forcave të bashkuara opozitare. Debati mes dy të ftuarve u tensionua gjithnjë e më shumë, me akuza, fyerje dhe kërcënime nga të dyja palët. Situata doli jashtë kontrollit kur ata u ngritën nga karriget dhe nisën të godisnin njëri-tjetrin.
Përplasja fizike detyroi drejtuesit të ndërprisnin emisionin, ndërsa punonjësit e sigurisë ndërhynë për të ndarë dy personat dhe për të qetësuar situatën.
Televizioni Publik i Armenisë publikoi pamjet e incidentit më 16 nëntor, një ditë pas përleshjes së ndodhur më 15 nëntor.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta në skenën politike dhe në institucionet mediatike të vendit. Komisioni i Televizionit dhe Radios në Armeni shprehu shqetësimin për transmetimin pa redaktim të fyerjeve dhe skenave të dhunës fizike.
Ndërkohë, portali armen Hraparak ka publikuar një artikull ku vë në fokus të kaluarën e dy protagonistëve, duke ngritur gjithashtu pretendime për lidhjet dhe afërsinë e tyre me qarqe të ndryshme politike.




