Gëzim Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, është ndarë papritur nga jeta mesditën e kësaj të hëne. Lajmi është bërë i ditur nga familjarë dhe përfaqësues të komunitetit lezhjan, ndërsa ngushëllimet i ka shprehur edhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu.
Rrethanat e ndarjes së tij nga jeta nuk janë bërë ende të ditura. Humbja ka prekur familjen Ndoka, e cila në të kaluarën ka përjetuar edhe vdekjen e Aleksandër Ndokës, një tjetër pjesëtar i familjes, i njohur për ndikimin e tij në politikën lokale në Lezhë.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kryebashkiaku Pjerin Ndreu ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Gëzim Ndokës, të cilin e cilëson si mik, duke bërë të ditur se brenda së njëjtës ditë ka marrë edhe një tjetër lajm të trishtë për humbjen e Lidjana Lleshit.
“Jeta jo gjithmonë na sjell lajme të mira! Sot jam zgjuar me dy lajme të trishta që më kanë tronditur thellë! Lidjana, bashkëshortja e kushëririt tim Erjon Lleshi, dhe Gëzim Ndoka, shoku ynë, nuk janë më mes nesh!
Të dy u larguan nga kjo jetë në moshë të re, duke lënë pas dhimbje të madhe, familje të pikëlluara dhe një boshllëk të pazëvendësueshëm tek të gjithë ne që i njohëm! Fjalët janë të pakta përballë një dhimbjeje të tillë”, shkruan Ndreu.
Pritja për ngushëllime do të zhvillohet në lagjen “Nënë Tereza” në Lezhë, në shtëpinë e Ndue Gjon Ndokës. Ceremonia mortore dhe përcjellja për në banesën e fundit janë caktuar për nesër, më 17 nëntor 2026, në orën 13:00.



