Aksidentoi me vdekje dy fëmijë në zonën e Kënetës, Gjykata i refuzon gjykimin e shkurtuar Nikollë Radaçit

Aksidentoi me vdekje dy fëmijë në zonën e Kënetës, Gjykata i refuzon gjykimin e shkurtuar Nikollë Radaçit

17:23, 16/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

U zhvillua sot në Gjykatën e Durrësit seanca e radhës për aksidentin tragjik të 3 majit 2026, në zonën e ish-Kënetës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një i tretë.

Gjykata vendosi të dërgojë për gjykim drejtuesin e automjetit, Nikollë Radaçi, nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e dy fëmijëve.

Gjatë seancës, gjykata refuzoi kërkesën e Radaçit për gjykim të shkurtuar.

Gjithashtu gjykata vendosi pushimin e hetimeve për akuzën tjetër, atë të drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt, pasi kjo vepër penale përfshihet në ligjin e amnistisë.

Me vendimin e sotëm, çështja kalon për gjykim në themel, ku do të shqyrtohet përgjegjësia penale e Nikollë Radaçit për aksidentin që u mori jetën dy të miturve.

Vendimi i Gjykatës:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesave.

2. Dërgimin për gjykim pranë gjykatës kompetente (Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës) të procedimit penal Nr.847 datë regjistrimi 4.5.2026, për veprën penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’, të parashikuar nga neni 290, paragrafi 4 i Kodit Penal në ngarkim të të pandehurit: N. R., i datëlindjes xxxx

3. Refuzimin e kërkesës së të pandehurit N. R. për të proceduar me gjykim të shkurtuar.

4. Deklarimin e papërdorshëm të Procesverbalit ‘Për marrjen e mostrës së gjakut’, ndaj të pandehurit N. R., datë 3.5.2026.

5. Deklarimin e papërdorshëm të Aktit të Ekspertimit Toksikologjik-Ligjor, Nr. xxx, datë 13.5.2026, hartuar nga ekspertja Z. B.

6. Formimin e fashikullit të gjykimit, i cili do të përmbajë të gjitha aktet e hetimeve paraprake të ndodhura në dosjen penale me Nr. 2094 datë regjistrimi 13.10.2026, të përcaktuara sipas nenit 332/ë, pika 2 e K.Pr.Penale, me përjashtim të akteve të përcaktuara në pjesën arsyetuese të këtij vendimi, të cilat i kthehen prokurorit.

7. Vendimi për dërgimin, e çështjes në gjyq së bashku me fashikullin do të depozitohet në sekretarinë e Gjykatës të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës brenda 10 ditëve nga dita e shpalljes së këtij vendimi.

8. Pushimin e hetimeve, që i përket procedimit penal nr. 847, datë 4.5.2026, ndaj personit nën hetim N. R., i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’, të parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal, për shkak se kjo vepër penale, është amnistuar nga ligjvënësi sipas nenit 6 të Ligji Nr.57/2026 ‘Për dhënie amnistie.

9. Kundër vendimit për dërgimin e çështjes në gjyq nuk lejohet ankim, kundër vendimit për pushimin e hetimeve mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 15 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar të Gjykatës, ndërsa kundër vendimit për refuzimin e kërkesës për të proceduar me gjykim të shkurtuar lejohet ankim bashkë me vendimin përfundimtar dhe/ose jo përfundimtar të gjykatës kompetente.

U shpall në Durrës, sot më datë 16.11

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco